Në Gjykatën Speciale në Hagë të hënën, dëshminë e ka nisur një dëshmitar i mbrojtur, në rastin ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Prokurori Matt Halling, para se seanca të mbyllej, e prezantoi dëshmitarin si ish-ushtar të UÇK-së.
“Dëshmitari 04737 është një ish-anëtar i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut. Ai do të japë dëshmi lidhur me veprimtaritë gjatë luftës dhe strukturën e komandës në këtë brigadë”, ka thënë ai.
Në shkresat e lëndës thuhet se dëshmitari nga fundi i vitit 1998 filloi trajnimet në një fshat, emri i të cilit është i redaktuar.
Sipas këtyre shkresave, dëshmitari do të tregojë për raportet mes UÇK-së dhe FARK-ut.
“Dëshmitari (04737) jep shembuj ilustrues të ndarjes në mes të UÇK-së dhe ushtarëve profesionalë të FARK-ut dhe mes LPK-së dhe LDK-së”, thuhet në shkresa.
Në sallën e gjykimit ishin prezentë të gjithë të akuzuarit, përveç Thaçit, i cili seancën e përcolli përmes videolidhjes.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, në shtatorin e vitit 2022 e ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar e të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku ata ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Të gjithë të pandehurit i kanë mohuar akuzat.