Mbi 21 mijë maturantë i janë nënshtruar të shtunën Provimit të Maturës Shtetërore, të zhvilluar në 177 qendra testimi. Sikurse herëve të tjera, edhe sivjet kanë rrjedhur në rrjete sociale pyetjet dhe përgjigjet, me gjithë paralajmërimin për mbikëqyrje më të rreptë të procesit. Në Komisionin Shtetëror të Maturës bënë të ditur se si pasojë e përdorimit të telefonave, disa nxënës janë larguar nga provimi
Me gjithë thirrjet për respektim të rregullave dhe mbikëqyrje të rreptë të mbarëvajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore, pyetjet dhe përgjigjet janë shpërndarë në rrjete sociale edhe të shtunën, kur këtij testi iu nënshtruan mbi 21 mijë maturantë.
Në kohën e fillimit të testit në orën 10, në një grup të hapur në Viber nisën të shpërndahen pyetjet dhe më pas u komunikuan një sërë përgjigjesh.
Për këtë shkak, Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM), që vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit, njoftoi se në disa nga 177 qendrat e testimit ka pasur nxënës që janë larguar nga provimi.
“Sipas raporteve të administratorëve, në disa qendra ka pasur largim të nxënësve nga provimi për shkak të përdorimit të telefonave. Sa u përket të dhënave të tjera rreth administrimit, KSHM-ja do të raportojë pas përpunimit të të gjitha raporteve nga të gjitha qendrat e testimit në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Arsimit.
Rrjedhjen e përmbajtjes së provimit e paralajmëruan ditë më parë edhe ekspertët e arsimit, të cilët thanë se Ministria e Arsimit nuk ka të vendosur mekanizma për luftimin e kopjimit.
Në provimin e sivjetmë, të cilit iu nënshtruan mbi 21 mijë maturantë, krahas administratorëve, rolin e mbikëqyrësve e patën edhe studentë të niveleve të ndryshme, teksa të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të Policisë.
E pas përfundimit të provimit, nxënësit thanë të mos ketë pasur parregullsi e probleme gjatë procesit.
Era Krasniqi, nxënëse e gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, tha se gjithçka ka shkuar në rregull në shkollën fillore “Dardania”, ku ajo iu nënshtrua testit.
“Nuk kemi pasur ndonjë parregullsi ose nuk kemi pasur as mundësinë të bisedojmë ose diçka, po ka qenë në nivel të rregullt, ashtu siç duhet të shkojë një test tamam. Dihet çfarë vlere ka ky test dhe në bazë të vlerës që ka, ashtu ka shkuar edhe testimi”, ka thënë ajo.
Edhe Sara Janina është shprehur se procesi ka përfunduar qetë dhe ka thënë se pyetjet e testit ishin logjike dhe jo të vështira.
“Askush nuk ka provuar të kopjojë. Nuk ka pasur nevojë ta largojë dikë prej klasës ose të konfiskohen telefona. Shumë qetë, shumë rregull”, ka thënë ajo.
E, Nehar Shasivari, zëvendësdrejtor i shkollës “Dardania” në Prishtinë, e lavdëroi procesin, teksa tha se nxënësit janë vetëdijesuar për të mos kopjuar.
“Nxënësit janë vetëdijesuar sa i përket çështjes së marrjes apo jo të telefonit. Secili nxënës e ka dorëzuar telefonin. Nuk ka pasur ndonjë tentim të kopjimit. Administratorët kanë qenë të vëmendshëm”, ka thënë Shasivari.
Provimit të sivjetmë të Maturës Shtetërore iu nënshtruan nxënësit që tre vjet më parë, si pasojë e situatës me pandeminë COVID-19, nuk iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë, që mbahet pas përfundimit të klasës së nëntë. Rezultatet e provimit të së shtunës do të shpallen më 3 korrik.
Provimi është i vlefshëm për nxënësit, për ta siguruar të drejtën që të aplikojnë për studime universitare.