LAJMET E MBRËMJES

Në Ditën e Çlirimit vlerësohet kontributi që është dhënë, Rama “thumbon” Kosovën për aleatët

Me mesazhin në lidhje me raportin e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë e ka përcjellë urimin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Ditën e Çlirimit. Krahas Ramës, Kosova ka marrë urime të shumta në 24-vjetorin e hyrjes së NATO-s. Kontributi i dhënë nga ndërkombëtarët e vendorët për liri është vlerësuar lart edhe nga liderët shtetërorë.

Personalitete të ndryshme janë kujtuar në Ditën e Çlirimit nga krerët e shtetit, përfaqësues opozitarë, e liderë të rajonit.

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti të hënën kanë bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, në kompleksin e familjes Jashari e te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

Osmani u shpreh mirënjohëse për kontributin e gjithsecilit në çlirimin e Kosovës, e cila, siç tha, vjen pas një lufte që rezultoi me gjenocid për popullin e pafajshëm.

“Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosin këto themele. Po ashtu për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, por edhe mirënjohje përjetshme për gjithë miqtë tanë të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet të cilin sot e gëzojnë gjithë qytetarët e Kosovës", tha Osmani.

Sipas krerëve të institucioneve, çlirimi i Kosovës është shembulli i bashkëveprimit të suksesshëm mes vendorëve e bashkësisë ndërkombëtare.

“Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë një datë shume e çmuar për popullin e Kosovës, por ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar. Sepse, dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndalje e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo natyrisht nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë, pa shtetet të cilat e ndihmuan çlirimin e Kosovës. Por kjo ndodhi edhe pikërisht për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejtë”, tha kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se përulen para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. “Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë gjithnjë dhe përgjithmonë jemi falënderues dhe mirënjohës”, theksoi Kurti.

12 qershori i 1999-s është kujtuar e uruar edhe nga krerët e Shqipërisë.

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur nderime për UÇK-në e mirënjohës për SHBA-në e NATO-n

“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë. Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO”, tha Begaj.

E Dita e Çlirimit, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është rikujtim se pa aleatë s`do të kishte “as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë”

“Prandaj bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët! Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, vlerësoi Rama.

Në nder të kësaj dite, në sheshet e kryeqytetit ka performuar edhe orkestra e Forcës së Sigurisë të Kosovës.

24 vjet më parë në Kosovë hynë ushtarët e NATO-s. Hyrja e tyre u bë pas 78 ditë bombardimesh që i dha fund luftës.