Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Në 17-vjetorin e vdekjes, vlerësohet kontributi i ish-presidentit Rugova

Janë bërë 17 vjet prej kur ish-presidenti Ibrahim Rugova ka vdekur, pas një sëmundje të rëndë. Përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive kryesore politike e vlerësuan lart kontributin që Rugova ka dhënë në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kultivimin e raporteve me Perëndimin.

Zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësues të partive politike e vlerësuan lart kontributin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 17-vjetorin e vdekjes së tij.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti bashkërisht bënë homazhe te varri i njeriut që i dhanë epitetin e themeltarit të shtetit të Kosovës. Të dy vënë theksin te roli që Rugova ka pasur në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, gjatë viteve’90 dhe në kultivimin e raporteve me Perëndimin.

“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë të cilët e mbështetën Kosovën në ditët më të rënda e më të errëta të saj, ashtu do t’i ruajmë këto aleanca edhe në rrugën tonë përpara, përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm qoftë kujtimi për të, trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat që vijnë pas”, ka thënë Osmani.

Si aktivist studentor, në vitet ’90 Kurti ishte kritik i politikës së udhëheqësit historik të LDK-së. Tani si kryeministër ai dha vlerësime të larta për kontributin që Rugova dha në këtë periudhë.

“Teksa e përkujtojmë presidentin Ibrahim Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës civile”, ka deklaruar Kurti.

Që nga themelimi e deri në janarin e 2006-s, LDK-ja është drejtuar nga Rugova. Pas vdekjes së tij, janë ndërruar edhe tre kryetarë.

Lumir Abdixhiku, që aktualisht e udhëheq këtë parti, Rugovës i dha epitetin e shqiptarit më të madh të Kosovës.

Edhe Liderët e vlerësojnë kontributin e Rugovës për orientimin politik të Kosovës drejt Perëndimit LAJMET E MBRËMJES Liderët e vlerësojnë kontributin e Rugovës për orientimin politik të Kosovës drejt Perëndimit

“Ibrahim Rugova ishte ati themeltar i shtetit të Kosovës, ishte prijësi ikonik i lëvizjes më të madhe nacionale të shqiptarëve, ishte shqiptari më i madh i historisë së popullit të Kosovës dhe përpjekja e tij, angazhimi i tij për liri, pavarësi e demokraci është suksesi më i madh historik i shqiptarëve dhe vetë popullit të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Në 17-vjetorin e vdekjes, Rugova është përkujtuar edhe nga përfaqësues të partive politike, si Memli Krasniqi i PDK-së dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.

Rugova ishte në mandatin e dytë të tij si president i Kosovës, kur më 21 janar të 2006-s vdiq pas përballjes me një sëmundje të rëndë.