LAJMET E MBRËMJES

Liderët e vlerësojnë kontributin e Rugovës për orientimin politik të Kosovës drejt Perëndimit

Me homazhe të shumta e dy akademi përkujtimore, të mërkurën është kujtuar ish-presidenti Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij. Ai u vlerësua lart për rolin e tij si udhëheqës në kohët më të vështira për vendin, për orientimin e qartë politik drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës

Ibrahim Rugova bëri bashkë popullin e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, tha presidentja Vjosa Osmani, të mërkurën. Në 20-vjetorin e vdekjes se ish-presidentit Rugova, pos Osmanit, homazhe te varri i tij bënë edhe udhëheqës të tjerë shtetërorë e partiakë si dhe diplomatë të huaj. 

“Kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tanë strategjikë brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq, që sot mbetet dritë në udhërrëfyesin për gjithsecilin prej nesh që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike në familjen ku Kosova dhe populli i saj e kanë vendin”, ka thënë Osmani. 

E Lumir Abdixhiku, kryetar i partisë që Rugova e udhëhoqi nga themelimi deri në vdekjen e tij, tha se ai ishte shqiptari më i madh i të gjitha kohërave. 

“Në këtë 20-vjetor Rugovën jo veç që e nderojmë, por edhe e kujtojmë dhe nën kujtimet dhe ëndrrën e tij punojmë vazhdimisht që vendit tonë, Kosovës sonë t’i japim të ardhmen e merituar, një të ardhme të lirë, me një shtet të fuqishëm në familjen euroatlantike”, ka theksuar Abdixhiku. 

Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes e ka kujtuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. 

“Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte presidenti i parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe presidenti i parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës është i shënjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej presidentit Rugova”, ka shkruar Kurti.

Rugova u përkujtua edhe nga liderë të partive opozitare.

Deputetë të zgjedhur të Vetëvendosjes dhe partive aleate të saj si Alternativa dhe Lista “Guxo”, së bashku bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule te varri i tij në “Velani”.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh se Rugova i priu popullit në një periudhë të rëndësishme historike, në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës. 

E lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi se Rugova me vizionin e tij shtetformues i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përhershme me SHBA-në.

Në kujtim të Rugovës u organizuan edhe dy akademi përkujtimore – një nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani dhe një nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në akademinë e organizuar nga Osmani foli edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu.

“Platforma për liri dhe pavarësi u përqendrua me vizion e të kuptuar të drejtë të dinamikave globale dhe për t’i integruar ato në hapat, situatat dhe proceset në Kosovë. Në shtyllat kryesore të tij për shtetformim ishte krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me personalitete, institucione dhe qeveri. Ai vuri në krye të politikës ndërkombëtare të Kosovës miqësinë me SHBA-në dhe Evropën. I hapi Kosovës porta për t’u ngritur zëri i saj për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka deklaruar Sejdiu.

Ibrahim Rugova ka lindur në Cerrcë të Istogut, më 2 dhjetor 1944. Pas përfundimit të shkollimit fillor në Istog dhe atij të mesëm në Pejë, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ai, ndërkohë kreu edhe nivelet e tjera të studimeve dhe punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime, artikuj dhe libra studimorë. 

Rugova ishte njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u zgjodh kryetar i saj që nga themelimi më 23 dhjetor 1989. Këtë parti politike e drejtoi deri më 21 janar 2006, kur ndërroi jetë në moshën 61-vjeçare.