Presidentja Vjosa Osmani bashkë me familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kanë bërë homazhe tek varri i tij në Velani për 20-vjetorin e vdekjes së tij, nga ku tha se ai e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Presidenti Rugova e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci. Kauzë kjo që është akoma e gjallë dhe është jetësuar për shkak të sakrificës së madhe të popullit tonë, luftës sonë çlirimtare dhe ndërtimit të aleancave me aleatët tonë strategjik brenda familjes euroatlantike, aleanca këto që i ndërtoi presidenti Rugova me një vizion të pashoq që është sot mbetet dritë në udhërrëfyesin për gjithsecilin prej nesh që e duam Kosovën akoma më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike në familjen ku Kosova dhe populli i saj e ka vendin. Nderimi për presidentin Rugova do të jetë i përjetshëm dhe vizioni i tij do të rrojë për aq kohë sa do të rrënojë dhe Kosova, do të rrojë përjetësisht”, ka thënë Osmani, raportoi EO.
Ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas homazheve pranë varrit të tij.
“Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se asaj kohe shumë pak dinte ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej dhe ai arriti të depërtoj në qendra kryesore botërore, duke ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare dhe duke shpërfaq terrorin dhe dhunën e Serbisë ndaj një populli të pafajshëm shqiptarë. Rugova gjithashtu ka rol të rëndësishëm në procese të ndryshëm, përfshirë në atë të Rambujesë, në themelimin e institucioneve të pasluftës, prandaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës dhe vendit tonë”, tha Basha.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vendosur kurora lulesh te varri i Rugovës për ta nderuar në përvjetorin e 20 të vdekjes së tij.
Nga aty, Abdixhiku tha se Ibrahim Rugova mbete shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, dhe si i tillë e obligon që të sillen me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun.
“Sot në 20-vjetorin e largimit të atit themeltar të Republikës së Kosovës, e vendit tonë, shtetit tonë nderojmë Ibrahim Rugovën. Njeriun i cili jo vetëm realizoi një ëndërr historike të popullit të Kosovës për liri, pavarësi, demokraci por krijoi një projekt madhor, më të madhin të madhin ndër shqiptarëve të Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, dhe si i tillë na obligon edhe sot të sillemi me dinjitet, maturi dhe përkushtim për atdheun tonë”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, Rugovën e kujton me mirënjohje të përhershme.
“Me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova pata nderin të bashkëpunoj në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme të shtetndërtimit. Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme. Me vizionin e tij shtetformues, ai i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën, veprime këto që i paraprinë pavarësisë dhe që vazhdojnë të mbeten themel i vizionit tonë si shtet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.