Në 19-vjetorin e vdekjes është përkujtuar ish-presidenti Ibrahim Rugova.
Presidentja Vjosa Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë bërë homazhe të varri i tij.
Osmani ka theksuar se kontributi i Rugovës për shtetin e Kosovës do të shërbejë si udhërrëfyes.
“Dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë në një kohë jashtëzakonisht të rëndë kur po rrezikohej edhe shfarosja e qytetarëve tanë, e popullit të Kosovës. Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët rreth kauzës për liri, demokraci, pavarësi, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u dishtën më së shumti në ato kohë të vështira… Vizioni i presidentit Rugova ishte largpamës, ai ishte një politikan i jashtëzakonshëm që i solli politikës dimensionin human të saj, dimensionin që fatkeqësisht mungonte për një kohë të gjatë, prandaj edhe mbetet jo vetëm shembull i vizionit dhe politikbërjes në Kosovë por edhe kudo që shkojmë në botë”, ka deklaruar ajo, raporton KP.
Homazhe te varri i Rugovës ka bërë edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka theksuar se në këtë 19-vjetor “kujtojmë që rrugëtimi për liri dhe pavarësi e demokraci të një Kosove të pavarur dhe sovrane të anëtarësuar në NATO, BE e miqësi të përhershme me SHBA është domosdoshmëri e kohës”.
“Atit themeltar të Republikës së Kosovës njeriu që më urtësi, kokëfortësi me mburrje i priu popullsisë së Kosovës në një periudhë të vështirë ,krijoi aleanca ndërkombëtare dhe arriti që çështjen e Kosovës dhe kauzën e popullit të Kosovës ta bëjë çështje ndërkombëtare drejt lirisë, demokracisë, pavarësisë”, ka theksuar ai.
Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare, ndërsa mbante postin e presidentit.
Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989. Ai u konfirmua lider politik i Kosovës në dy palë zgjedhje të mbajtura në vitet ‘90, përkatësisht më 1992 dhe 1998. Ai është zgjedhur president i Kosovës dy herë edhe pas çlirimit, përkatësisht pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2001 dhe atyre të 2004-s.
Rugova si kryetar i LDK-së, nga viti 1989, ishte kthyer edhe në lider të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të nëntëdhjeta, nën sundimin e Serbisë.
Vdekja e tij u përcoll me 15 ditë zie në Kosovë. I ngarkuari i OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, atëbotë, shtyri për një kohë bisedimet rreth këtij procesi. Tek dy vjet më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008, institucionet e Kosovës e shpallën Pavarësinë.
Në përvjetorin e parë të vdekjes, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike.
Fotogaleri e datës 21,22 e 23 janar 2006 (Foto: Alban Bujari & Driton Paçarada).