LAJMET E MBRËMJES

Myftiu Tërnava bën thirrje që problemet në veri të zgjidhen me dialog

Në adresimin e tij para besimtarëve myslimanë të mbledhur të mërkurën për ta falur Kurban Bajramin, myftiu Naim Tërnava bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri dhe që çdo problem të zgjidhet me dialog. Nga Xhamia e Madhe në Prishtinë, ku u organizua ceremonia kryesore e faljes së Bajramit, Tërnava pati një porosi edhe për politikanët vendorë dhe ata ndërkombëtarë

Pak pas orës 5, besimtarë të shumtë myslimanë nisën të tuboheshin në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku u organizua ceremonia kryesore e faljes së Kurban Bajramit.

Falja e Bajramit nisi në orën 05:38, ndërkohë fjalimin e mbajti myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. Ai shprehu shqetësimin për gjendjen e krijuar në veri të Kosovës dhe bëri thirrje që problemet të zgjidhen me dialog.

“Gjendja e sigurisë në vendin tonë nuk është e qëndrueshme sa dhe si duhet. Tash e sa muaj në veri kemi tensionim të gjendjes. Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare duhet të kontribuojnë edhe më shumë, në të gjitha mundësitë e tyre në shtensionim të situatës dhe uljen e tensioneve. Të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut, larg nga përdorimi i dhunës”, ka thënë Tërnava.

Ai u lut për paqe, siguri e tolerancë, por foli edhe për zbatim të ligjeve.

“Kosova ka kufijtë e vet, ka sovranitetin e vet dhe Kushtetutën që duhet respektuar në çdo anë që të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve”, ka deklaruar Tërnava.

Në fjalimin e tij, Tërnava foli edhe për familjen. Shprehu shqetësimin për dhunën që po e kërcënon atë.

“Ajo në të shumtën e rasteve mbahet e fshehtë dhe në shumë raste mbetet e padukshme, e strukur në harresë dhe si e tillë mbetet e padënueshme, ngase te ne fatkeqësisht mbretëron mendësia se kjo është pjesë e jetës private. Dhuna asnjëherë nuk është mjet për zgjedhje të problemeve”, ka shtuar ai.

Urime paqeje e dashurie, pas faljes së Kurban Bajramit, bënë edhe qytetarët.

“Të gjithë të jetojmë në paqe, harmoni në tolerancë. Ta ndihmojmë njëri- tjetrin, edhe kombit shqiptar ua uroj këtë festë të shenjtë”, ka thënë një qytetar.

Kurban Bajrami përcaktohet sipas kalendarit hënor. Nis në ditën e dhjetë të muajit të fundit të këtij kalendari dhe zgjat katër ditë. Quhet kështu, sepse në këtë festë theret kurban.