Akuza për bashkëpunim me Listën Serbe dhe për përfshirje në monopole energjetike janë shkëmbyer ndërmjet zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja Hykmete Bajrami përplasjen në distancë e kanë bërë në rrjete sociale
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati dhe deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, janë përplasur të enjten në distancë, nëpërmjet akuzave rreth bashkëpunimit me Listën Serbe, parti politike që i përfaqëson serbët në Kosovë dhe që mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Fillimisht, Murati ka shkruar në “Facebook” se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka dhënë propozimin që nënkryetari i Kuvendit, i cili i takon komunitetit serb, të mos jetë nga Lista Serbe (LS), porse ka theksuar që partitë e tjera nuk janë përgjigjur, për shkak se llogarisin në mbështetjen e këtij subjekti politik, që mban lidhje të forta me pushtetin në Serbi.
“Besoj që qëndrimi për temën e nënkryetarit e tregon më së miri se cilat parti ende presin dhe shpresojnë për bashkëpunim me Listën Serbe, e ato janë PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja”, ka shkruar Murati.
Bajrami i është kundërpërgjigjur Muratit, duke ia rikujtuar ftesën për koalicion që Vetëvendosja ia ka drejtuar LDK-së, e edhe bisedat e ish-shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiqin, që tash është i akuzuar për terrorizëm, por që ka qenë nënkryetar i Listës Serbe.
Ajo ka hedhur edhe një akuzë të re, në formë pyetjeje.
“Tashmë të gjithë e kanë të qartë se sa herë që i vjen erë korrupsion krejt Lëvizjes Vetëvendosje, ata provojnë me luajtë ‘patriotin’, kinse të tjerët janë me Serbinë. Tregona, Hekuran, si ndodhi që në qeverinë tuaj EFT-ja e Vuk Hamoviqit i monopolizoi linjat e transmetimit të energjisë: Mal i Zi-Kosovë, Maqedoni e Veriut-Kosovë, dhe anasjelltas?”, ka shkruar ajo.
Polemika ka vazhduar edhe me statuse të tjera në “Facebook”. Murati ka shkruar se Vetëvendosja i ka dërguar ftesë për koalicion LDK-së, por pa përfshirjen e Partisë Demokratike (PDK) dhe të Listës Serbe.
E, sipas tij, partia së cilës i përket Bajrami ka insistuar që në koalicion të përfshihen edhe këto dy subjekte politike.
Bajrami i është kundërpërgjigjur këtij pretendimi me akuza.
Ajo ka shkruar se Vetëvendosja, PDK-në dhe Listën Serbe i përdor për ta zhvendosur vëmendjen prej “mafisë energjetike”.