LAJMET E MBRËMJES

MSH-ja kritikohet për Listën e Barnave Esenciale në diskutimin për të

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e kryetari i Komitetit kyç për përpilimin e Listës së Barnave Esenciale, u përballën me kritika të shumta gjatë një tryeze diskutimi mbi çështjen. Aty u shpreh vërejtja për monopol dhe influencë të kompanive farmaceutike, si dhe pakënaqësia mbi Listën e re të Barnave Esenciale

Kritika për monopol dhe për influencë të kompanive farmaceutike iu adresuan Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit kyç për përpilimin e Listës së Barnave Esenciale, në një tryezë diskutimi publik mbi çështjen, të martën.

Kryetari i Shoqatës së distributorëve farmaceutikë, Milaim Abdullahu, theksoi vërejtjen se disa kompanive u është dhënë monopoli për një numër produktesh që kanë qenë në Listë Esenciale. Në këtë diskutim ai numëroi disa nga rastet në të cilat, sipas tij, është bërë monopol.

“Rasti i filgastrimit 480mg / 0.8ml ordinatë subkutan, veç ky 0.8ml ose 1.6 absolut nuk është me rëndësi a është 480 mg në 0.8ml, apo 1.2, apo 1.5, apo 1.3 , kur ordinatë subkutan, atëherë vetëm kjo militrazhë 0.8 i ka eliminuar sandozin, akordin, phizerin edhe i ka dhënë monopol një kompanie, të cilën s’kam nevojë me ia përmend emrin”, ka thënë Abdullahu.

Kritika të njëjta shprehu edhe Skënder Kutllovci, përfaqësues i një kompanie farmaceutike, tek shprehu pakënaqësinë me Listën e Barnave Esenciale, të prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë gjatë diskutimeve në tryezë.

E ministri Arben Vitia, i përballur me kritikat, bëri zotimin se nuk do ta lejojë influencën e asnjë kompanie që e dëmton buxhetin apo qytetarët. Dhe pati edhe përgjigje ndaj kritikës së Kutllovcit.

“Nuk mundemi ta anashkalojmë edhe faktin që edhe ju jeni kompani farmaceutike dhe të kishit qenë pjesë e kësaj liste ishit munduar të shtyni edhe ju ndoshta ndonjë produkt tuajin”, ka thënë ministri Vitia.

Ndërkaq kryesuesi i Komitetit kyç, Driton Vela, kritikat i kualifikoi si akuza e si ofendime të rënda.

“Prej fillimi na akuzuat që ka njëfarë tendence për lobim të kompanive dhe nuk ofruat asnjë dëshmi. Unë personalisht e marr ofendim të rëndë këtë dhe akuzë shumë të rëndë, është deklaratë publike e juaja dhe duhet të keni kujdes nëse s’keni dëshmi duhet të keni shumë kujdes në këto deklarata”, u shpreh Vela.

Për Listën e re të Barnave Esenciale buxheti i ndarë është 60 milionë euro, 25 milionë më shumë se vitin e kaluar. Për të deri më tani janë bërë 130 propozime e janë pranuar 69.

Palët pjesëmarrëse në diskutim shprehën vërejtjen se Lista e Barnave Esenciale u është drejtuar me vonesë dhe se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta shqyrtuar në plotësi.

E ministri Arben Vitia theksoi se lista e barnave paraqet një listë të nevojave esenciale të barnave të sistemit shëndetësor por, siç tha ai, edhe me kosto efektive.

“OBSH-ja e ka të publikuar listën model të barnave esenciale e cila shërben për t’u orientuar dhe ne kemi bërë përpjekjen maksimale që të kemi një format të ngjashëm, duke përcjellë trendët botërorë të produkteve kryesore”, ka thënë Vitia.

Vitia bëri zotimin se atyre do t’u ofrojë edhe një javë kohë shtesë, pas përfundimit të afatit për komente javën e ardhshme, po qe se kanë vërejtje.