Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues janë suspenduar të shtunën nga detyrat lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Suspendimi është bërë bazuar në rekomandimin nga Inspektorati Policor, pas konstatimit të shkeljeve rreth zbatimit të urdhrit të mbrojtjes për viktimën. Inspektorati, ndërkaq, ka paralajmëruar edhe veprime të tjera nga hetuesia, në koordinim me Prokurorinë e shtetit
Katër zyrtarë policorë të stacionit në Lipjan janë suspenduar të shtunën nga detyra, shkaku i shkeljeve të evidentuara rreth zbatimit të urdhrit të mbrojtjes për shtatzënën 35-vjeçare, që të mërkurën u vra në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të shtunën nëpërmjet Facebookut se Drejtoria Rajonale e Prishtinës ka zbatuar rekomandimin për suspendim të dhënë nga Inspektorati Policor.
“Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’. Me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Lipjan, ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim”, ka njoftuar Sveçla.
Suspendimin e komandantit të Stacionit Policor në Lipjan, një rreshteri dhe dy hetuesve, Inspektorati Policor e ka rekomanduar mbështetur në gjetjet hetimore që treguan se ekzistojnë elemente të veprave penale.
“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri te dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e urdhrit mbrojtës nga ana e zyrtarëve të Stacionit Policor Lipjan ka elemente të veprave penale: 'Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar', si dhe 'Falsifikim i dokumentit zyrtar’”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor.
Në Inspektorat kanë paralajmëruar edhe veprime të tjera, në koordinim me Prokurorinë e shtetit.
Ndërlidhur me rastin, Policia të shtunën ka zbardhur hollësi rreth vetëvrasjes së të dyshuarit për vrasjen e gruas. Nëpërmjet raportit 24-orësh, Policia ka konfirmuar sekuestrimin e armës me të cilën është kryer vetëvrasja, si dhe karikatori pa fishekë.
“Njësitë policore kanë zhvilluar një aksion për arrestimin e të dyshuarit kosovar lidhur me rastin vrasje. Gjatë intervenimit është arritur që të largohen anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me Policinë dhe ka qëlluar veten me revole. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Të premten, familjarë dhe miq i kanë dhënë lamtumirën e fundit 35-vjeçares së vrarë bashkë me foshnjën e saj në bark. Vetëm pak orë pas varrimit të saj, i dyshuari ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij në Shtime, pas lokalizimit të vendndodhjes nga Policia.