Kronikë

Vrasja e trefishtë në Gjilan, suspendohen katër zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës IPK

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Katër zyrtarë policorë janë suspenduar lidhur me vrasjen e trefishtë në Gjilan, me rekomandim të Inspektoratit Policor. 

Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim paraprak në kuadër të të cilit do të hetohet nëse ka pasur ndonjë lëshim apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

“Bazuar në autorizimet ligjore dhe në rëndësinë e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan”, thuhet në njoftim.

Bazuar në rekomandimin e IPK-së janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor - shef i hetimeve në  Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan.

 Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale. Hetimet janë në fazën fillestare dhe përfshijnë mbledhjen e provave materiale, marrjen e deklaratave dhe veprime të tjera procedurale”, thuhet në njoftim.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.