Gjykata Themelore në Gjilan ka dalë me sqarim të hënën në lidhje me rastin e vrasjes së trefishtë të ndodhur në qendër të këtij qyteti, duke thënë se ndaj të dyshuarit kryesor për vrasjen, Mefail Shkodra, nuk ka lëndë aktive në këtë Gjykatë.
Ndërkohë, sa i përket dosjes së tij penale, në njoftim thuhet se në bazë të evidencës, Shkodra ka pasur tri lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues.
“Në vitin 2018 është akuzuar për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të armëve, është gjykuar dhe shpallur fajtor dhe është dënuar. Në vitin 2014 është akuzuar për veprën penale vjedhja e shërbimeve komunale, i cili për këtë rast është gjykuar dhe dënuar dhe në vitin 2011 është akuzuar për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, ku edhe për këtë rast është gjykuar dhe shpall fajtor nga kjo Gjykatë”, thuhet në komunikatën e këtij institucioni.
Ndërsa për dy të dyshuarit e tjerë të përfshirë në rastin e së dielës, të bijtë e Shkodrës, Edonis dhe Engjull Shkodra, gjykata ka thënë se nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.