LAJMET E MBRËMJES

Suspendohen 4 zyrtarë policorë për vrasjen e trefishtë në Gjilan

Pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, me rekomandim të Inspektoratit Policor janë suspenduar katër zyrtarë të Policisë. Ndaj tyre ka nisur hetimet edhe Prokuroria. E, politikanët kanë shkëmbyer akuza për afërsi me të akuzuarin kryesor për vrasjen e rëndë që ka ndodhur të dielën

Janë suspenduar katër zyrtarë policorë të rajonit të Gjilanit, në lidhje me vrasjen e trefishtë që ka ndodhur në fundjavë. 

Vendimi është marrë me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës. E, publikisht, rekomandim për hetim ndaj policëve ka dhënë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Inspektorati ka arsyetuar masën e kërkuar.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar një hetim paraprak në kuadër të të cilit do të hetohet nëse ka pasur ndonjë lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të të dyshuarit, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan. Bazuar në rekomandimin e IPK-së, janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga Njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

Tre persona janë vrarë të dielën në mesditë nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë treguar se të dyshuar për vrasjen janë: Mefail Shkodra dhe dy djem të tij, Edonis e Engjull Shkodra. Të tre janë në arrati. I dyshuari kryesor ka shumë raste penale, nga to edhe për fajde, detyrim e organizim të grupit kriminal.

E, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka nisur hetime paraprake për policët tashmë të suspenduar dhe po e vazhdon hetimin për t’i gjetur të dyshuarit kryesorë për vrasjen e trefishtë, Mefail, Edonis e Engjull Shkodra.

E, thirrjes së Ministrisë së Drejtësisë për masa disiplinore ndaj të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve, pas lirimit nga paraburgimi të Mefail e Edonis Shkodrës vitin e kaluar, ende nuk u janë përgjigjur Këshilli Gjyqësor dhe as ai Prokurorial.

Gjykata arsyetoi vendimin, me kërkesën e bërë nga Prokuroria Speciale. E prokuroria është justifikuar, duke theksuar se pasi kishte bërë analizimin e kërkesës së mbrojtjes së Mefail e Edonis Shkodrës vitin e kaluar, kishte dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë .

E, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se pesë vrasjet e rënda në 48 orët e fundit janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. 

Tahiri ka akuzuar Vetëvendosjen se e ka vënë vendin në një gjendje alarmante të sigurisë.

“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhinjtë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese”, ka thënë Tahiri. “Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësimin e madh, për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”.

Tahiri ka thënë se autori i vrasjes së trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra, dhe i njohur për veprat e shumta penale, është parë i pranishëm “në ahengjet e partisë në pushtet”.

Pas ngjarjes, është publikuar një fotografi në të cilën shihet i dyshuari Shkodra dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani.

Por, pas akuzës kanë reaguar zyrtarë të Qeverisë në detyrë e edhe të Vetëvendosjes.

Ata kanë publikuar një fotografi të ngjarjes, në të cilën shihet edhe deputeti Tahiri, dhe e cila është organizuar nga Ambasada e Shqipërisë dhe jo Qeveria apo Vetëvendosja.

“Ai sot, në një konferencë për media, ndonëse deputet, me vetëdije të plotë iu bashkua fushatës së rrjeteve sociale përmes së cilës synohet njollosja e Kryeministrit dhe Qeverisë Kurti dhe lidhja e saj me dorasin Mefail Shkodra përmes një fotografie. Deputeti Tahiri mashtroi publikisht kur tha se ajo fotografi ishte shkrepur në një pritje shtetërore të organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Edhe pse e di që ajo ngjarje është, në fakt, pritje e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në shënim të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë”, ka shkruar në reagimin e tij zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. “E di, sepse vetë ka qenë i ftuar dhe i pranishëm në po atë ngjarje të vitit 2022, sikurse dëshmon fotografia më poshtë. E kur ai e thotë qëllimisht e publikisht të pavërtetën, atëherë nuk i mbetet kredibiliteti për të thënë çkado tjetër”.

I dyshuari kryesor, 53-vjeçari Mefail Shkodra, ka numër të madh rastesh të mëhershme: Prishja e rendit dhe qetësisë publike, dy raste; fajde, tri raste; mashtrim, një rast; kërcënim, tri raste; shantazh, një rast; detyrim, dy raste; pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, një rast.