LAJMET E MBRËMJES

Miratohen 3 ligje e zgjaten masat emergjente për energjinë

Krahas ligjit për vendosjen e çmimeve tavan për produktet themelore, atij për Punët Publike dhe për Noterinë, Kuvendi i ka dhënë miratimin të martën edhe vendimit të Qeverisë mbi zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji.

Vendimi, që si pikë e rendit të ditës u përfshi me procedurë të përshpejtuar, kaloi vetëm me votat e mazhorancës, pasi që deputetët nga opozita u shprehën kundër.

Gjatë debatit, ata patën kritika ndaj Qeverisë mbi vazhdimin për të gjashtën herë të gjendjes emergjente, pa i gjetur një zgjidhje më afatgjate situatës me energjinë.

“Nëse situata do të zgjasë, sjelleni një ligj emergjent që e rregullon sektorin në situata emergjente, jo çdo muaj kështu. Kjo është skajshëm keqpërdorim”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

“Thotë na jepni besë 30 ditë sepse për 30 ditë do ta zgjidhim problemin, është hera e gjashtë që e thonë këtë. Ndërkohë që ka përkeqësim të energjisë elektrike për këto gjashtë herë që është dhënë afati 30 ditësh”, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“A është duke dashur Qeveria qe 20 muaj ta mbajë gjendjen e jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht 6 herë radhazi të marrë masa për gjendjen emergjente në këtë sektor. Si është e mundur që në komisionin përkatës Qeveria të mos japë asnjë analizë se cilat janë benefitiet që ky Kuvend i ka marrë në raport me gjendjen emergjente”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Në përgjigje ndaj kritikave, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i arsyetoi masat.

“Tanimë në 9 muaj e parë të vitit vetëm se kemi një ulje të konsumit për 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe të gjitha masat që i kemi ndërmarrë dhe do të vazhdojmë t’i ndërmarrim, i kontribuojnë uljes së konsumit”, tha Rizvanolli.

Por deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami, tha se zgjatja e tyre, e legjitimon reduktimin e energjisë elektrike.

“Në momentin kur Kuvendi e miraton vendimin, ju nuk keni nevojë të merrni vendim për reduktime të energjisë. KESCO në momentin që e ka në fuqi këtë vendim ka të drejtë ta ndërpresë energjinë pa pasur pasoja ligjore”, tha Bajrami.

“Asnjë reduktim deri më tani nuk është bërë me vendim të Qeverisë, si rezultat i masave emergjente dhe kjo nuk qëndron”, tha ministrja Rizvanolli.

Në seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga pushteti për energjinë elektrike, kritika Qeverisë iu adresuan edhe mbi situatën në veri të Kosovës. Deputetët opozitarë potencuan se kryeministri Albin Kurti do të duhej që të raportonte mbi gjendjen.

“Për ne si grup parlamentar gjendje e jashtëzakonshme dhe nevoja për masa emergjente urgjente është të merren për sigurinë në vend, për situatën që është krijuar në veriun e Kosovës. A është dashur kryeministri të vijë të na tregojë se si është situata në veriun e Kosovës. A ish dashtë kryeministri sot të vijë të raportojë para këtij Kuvendi. Këto 40 nënshkrime është dashur të jenë për atje jo për këtu”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

E deputeti i Partisë Demokratike, Hisen Berisha, tha se Qeveria, me anë të veprimeve të saj, po rrëshqet në tradhti ndaj vendit.

“Mos t’ju brengosë ky fjalim kryetar se në këtë foltore kam dëgjuar fjalim edhe më të rrezikshëm dhe më fyes. Kam dëgjuar t’i thërrisni kriminelë njerëzit që e kanë dnërtuar Kosovën. Burra që kanë pasur vizion ta bëjnë Kosovën, që kanë qenë arkitektë të Kosovës së pavarur. Burra që kanë veshur uniformën dhe kanë luftuar për ta bërë këtë vend që është sot”, tha Berisha.

Në shenjë proteste ndaj diskutimeve, Berisha më pas e braktisi seancën.