LAJMET E MBRËMJES

Magjistralja Ferizaj–Gjilan bllokohet sërish, lumi Sitnica del nga shtrati

Reshjet e pandërprera të shiut që ranë gjatë natës kanë bllokuar sërish segmentin e rrugës magjistrale që i lidh Ferizajn me Vitinë e Gjilanin. Kjo është hera e tretë që nga nëntori që kjo pjesë bëhet e pakalueshme për qarkullim, shkaku i vërshimeve që u shkaktuan dëme ekonomive familjare e edhe bizneseve. E si pasojë e reshjeve ka dalë nga shtrati edhe lumi Sitnica, duke i përmbytur fushat përreth

Nga nëntori e deri më tani, rruga në fshatin Sojevë të Ferizajt, që e lidh këtë komunë me atë të Vitisë e Gjilanit, është bllokuar tri herë si pasojë e reshjeve të shiut. 

Pas bllokimit edhe të martën, banori Selman Halimi, që e ka edhe një biznes afër kësaj rruge, është ankuar se situata me vërshime i ka krijuar dëme të konsiderueshme.

E për sanimin e këtij segmenti të magjistrales që vazhdimisht përmbytet, ai ka thënë se autoritetet nuk kanë bërë ndërhyrje konkrete.

“Për qeto të reshurat e shiut që na kanë bërë dëme të mëdha nuk ka zgjidhje kurrgjë hiq. As nuk sjellin kompani e as nuk vijnë me mbikëqyr lokalet. Udhën e kanë mbyll, s’ka zgjidhje hiç. Na ka bërë dëme të mëdha shumë, kushërinjve, kojshive, valluat, vëllain prej Zvicre e ka shti dikun 100 mijë euro ka bërë dëme prape nuk kanë ardh me vizitu as kurrgjë hiç. Unë e kam restorantin po ashtu nuk na ka ndihmu as komuna e as ministria. Duhet me bo një zgjidhje ama këta hiq nuk po bojnë zgjidhje”, ka thënë Halimi.

Për gjendjen në këtë segment rrugor Skënder Kurti, udhëheqës i sektorit për siguri dhe emergjenca në Komunën e Ferizajt, e ka bërë përgjegjës faktorin njeri.

“Aty është një problem i mëhershëm i cili është shkaktuar nga faktori njeri, ku kanë bërë ndërtime aty në atë pjesë ku ka qenë e pa banueshme dhe nuk ka pasur biznese më herët. Kanë shku gradualisht duke bërë ndërtime, kanë fut edhe gypa të cilët janë të madhësisë joadekuate për kalimin e rrugës në atë pjesë për atë arsyeje edhe shkaktohet ai problem”, ka thënë Kurti.

Ai ka dhënë edhe disa arsye përse Komuna nuk ka bërë ndërhyrje deri më tash.

“Ajo është pjesë private por edhe magjistralja konsiderohet pjesë e ministrisë, e cila duhet të merret me atë pjesë, por është e komplikume pak gjendja sepse involvohet aty edhe ministria por edhe komuna e tash është fut edhe faktori njeri që janë pronat privat e ne nuk mundemi me intervenu pa mirëkuptimin e tyre”, është shprehur Kurti.

Reshjet e fundit të shiut kanë nxitur edhe daljen nga shtrati të lumit Sitnica në Lipjan dhe të atij Morava në Viti, duke vërshuar fusha përreth.

Në Institutin Hidrometeorologjik kanë thënë se sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në pjesën perëndimore.

“Sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në pjesën perëndimore të Kosovës në Pellgun e Drinit të Bardhë 192.8 mm, si pasojë janë shkaktuar edhe vërshimet/përmbytjet më të mëdha. Pastaj ato kanë qenë më të theksuara në pellgun e Lepencit me mesatare 104.3 mm, me maksimumin e tyre prej 116.6 mm në Ferizaj. Ndërsa në pellgun e Ibrit mesatarisht kanë rënë 89 mm, me maksimumin e tyre prej 164.8 në Komoran, pastaj në Drenas 154.2”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

Raporti i Institutit ka theksuar se brenda një periudhe pesëvjeçare Kosova është përballur me përmbytje të shkallës më të lartë gjatë viteve 2021, 2023 dhe së fundmi nga 5 deri më 8 janar 2026.
Kjo është vala e tretë e përmbytjeve me të cilat është ballafaquar Kosova që nga nëntori i vitit të shkuar. E që atëherë, veç një numër i vogël i komunave kanë përpiluar bilanc vlerësues për dëmet.