LAJMET E MBRËMJES

Macron: Dialogu të rinisë “në javët e ardhshme”

Rinisjen e dialogut midis Kosovës e Serbisë gjatë javëve të ardhshme e ka kërkuar presidenti francez, Emmanuel Macron. Tek ka folur në Tirana, ku mbajti konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama, Macron i komentoi edhe kritikat që presidentja Vjosa Osmani i shprehu një ditë më parë ndaj Bashkimit Evropian për mungesë të balancës mes palëve

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka shprehur shpresën që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE), të rinisë në javët e ardhshme.

Këtë ai e tha të shtunën në Tiranë, kur gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u pyet për kritikën e presidentes Vjosa Osmani, se BE-ja po tregohet e pabalancuar me palët dhe po e penalizon atë që e zbaton rendin kushtetues.

Macron theksoi se është kaluar kohë e gjatë në dialog dhe se BE-ja ka legjitimitetin që të kërkojë avancime konkrete në çështje politike.

“Mendoj që kërkesat nuk janë humbje besueshmërie. Duhet të dalë nga kjo ballëpërballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogun edhe me Prishtinën edhe me Beogradin, ngase secili vend është përballur me vështirësi politike-sociale, për të mundur të bëjmë avancimin. Kërkesat janë legjitime dhe nuk duhet të lënë të vendoset një dialog i tërthortë, pasi nuk është mënyra e duhur për të avancuar”, ka thënë Macron.

Ai e theksoi edhe nevojën për vullnet politik drejt avancimit në dialog.

“Të kemi vullnet për të vënë në besim për këtë, për qëllimin e avancimit, sepse mendoj që për sigurinë e Evropës sonë, për bashkimin e saj, duhet ta bëjmë këtë rrugë, por është legjitime që të kemi kërkesa për këtë gjë. Nuk është ide e mirë kurrë kur mundohemi t’i përçajmë linjat apo të vëmë në dyshim procesin”, ka thënë presidenti Macron.

Marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi, është shtyrë edhe nga presidenti Macron dhe bazë e saj është i ashtuquajturi plani franko-gjerman. Por, dokumenti që Serbia ka refuzuar ta nënshkruajë, nuk ka gjetur zbatim.

Ndërkaq, autoritetet e Kosovës janë vënë nën presionin ndërkombëtar për të mos ndërmarrë veprime për shtrirjen e autoritetit kushtetues në veriun e banuar kryesisht me serbë. të premten BE-ja ka bërë reagimin e fundit kundër mbylljes së strukturave që ilegalisht Serbia i mban në Kosovë. Në reagim është thënë se të dyja vendet duhet të angazhohen me konstruktivitet në implementim të marrëveshjes për normalizim dhe implementim të aneksit, si dhe të marrëveshjeve të tjera “pa vonesa dhe pa parakushte”. Këtu ka përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Dialogu me erbinë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në bllokun e BE-së kanë zënë vend edhe në diskutime në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt të premten në Tiranë.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke iu përgjigjur gazetarëve, ka shprehur optimizëm për rezultate në dialog.

“E presim normalizimin e marrëdhënieve, natyrisht. Dje kam biseduar si me presidentin Vuçiq ashtu edhe me presidenten Osmani, dhe do të shohim se çfarë më shumë mund të bëjmë. Do të udhëtoj në Kosovë dhe në Serbi javën e ardhshme për t’u ulur gjithashtu me ata dhe për të parë se si mund të vazhdojmë me procesin e normalizimit”, ka thënë Kallas.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila përfaqësoi Kosovën në samit, ka zhvilluar në Tiranë takim bilateral me Kallasin, pasi ka thënë se do të ndodhet jashtë shtetit javën e ardhshme, kur shefja e diplomacisë së BE-së ka planifikuar ta vizitojë Kosovën. Ajo ka theksuar se para se të rinisë dialogu, duhet që BE-ja t’ia heqë masat Kosovës, dhe tha se brengën për këtë e ka shprehur edhe në darkën e organizuar nga udhëheqësit e BE-së.

“Gjatë darkës, në prezencën e të gjithëve, unë e kam ngritur çështjen e masave, sepse flitej për ndërtimin e besimit në raport me BE-në, megjithatë më shumë përkrahen ata që shkojnë në Moskë sesa ne që jemi 100 për qind në përputhje me politikat e BE-së”, ka thënë presidentja Osmani.

Çështjen e dialogut e ka përmendur të shtunën edhe bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber. Ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se qeveria re në Gjermani duhet të ndërmarrë një kthesë strategjike në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Pyetja është nëse Qeveria e re gjermane do të këmbëngulë në këto marrëveshje të papërmbushura, apo do të ketë guximin të nxisë një rinisje të thellë të dialogut – për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Kjo do të kërkonte një kthesë strategjike të politikës së BE-së ndaj Serbisë, duke mos e trajtuar regjimin e Vuçiqit si partner vlerash... Mbetet për t’u parë nëse CDU-ja dhe Merzi kanë forcën për këtë. Në të kundërt, dialogu do të thellohet edhe më shumë në krizë, dhe BE-ja do të humbasë më shumë kredibilitet si aktor demokratik, në Kosovë dhe në Serbi”, ka thënë Ëeber.

Dialogu Kosovë Serbi ka nisur në 2011-n, por pavarësisht marrëveshjeve të deritashme, në terren është shënuar progres i pamjaftueshëm. Serbia ka refuzuar të zbatojë pikat e marrëveshjeve që kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe vazhdimisht ka lobuar kundër njohjes.