Në mbledhjen e parë të Komisionit për Arsim, çështja e integrimit të arsimit në veri është vënë në diskutim, pasi anëtari i Listës Serbe Nemanja Bisevac ka thënë se kjo çështje lidhet me dialogun dhe nuk duhet të trajtohet nga komisioni. Atij i ka reaguar deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se universiteti në veri është pjesë e sistemit arsimor të Kosovës dhe duhet të monitorohet nga institucionet vendore
Integrimi i arsimit paralel serb në sistemin e Kosovës duhet të bëhet përmes dialogut, ka thënë anëtari i Listës Serbe, Nemanja Bishevac, të martën, në mbledhjen e parë të Komisionit për Arsim të legjislaturës së dhjetë.
Në mbledhjen ku u miratua fushëveprimi i komisionit pas diskutimeve dhe propozimeve të anëtarëve lidhur me prioritetet dhe mbikëqyrjen në sektorin e arsimit Bishevac, ka thënë se ky komision nuk duhet të merret me këtë çështje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Konsideroj se kjo është çështje e dialogut dhe se është një nga kompetencat e komisionit të përbashkët të ardhshëm. Prandaj mendoj se ne nuk duhet të merremi me këtë dhe se kjo është çështje e tyre”, ka thënë Bishevac.
Por deputeti i PDK-së dhe njëherësh anëtari i komisionit, Enver Hoxhaj, ka reaguar duke thënë se çështjet e arsimit nuk duhet të lidhen me dialogun.
“Universiteti në veri të Mitrovicës ka dalë si rezultat i procesit të Ahtisaarit në Vjenë. Nuk ka të bëjë fare me dialogun; është pjesë e sistemit tonë arsimor dhe unë, si deputet i Kuvendit të Kosovës, mund ta monitoroj dhe mbikëqyr çdo institucion që ndodhet brenda territorit të shtetit sovran”, ka deklaruar Hoxhaj.
Në këtë mbledhje, anëtari i komisionit, Fahrush Rexhepi, ka propozuar që në fushëveprim të përfshihet edhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjshmërisë në disa institucione shkencore, konkretisht në Institutin e Historisë.
Ky propozim nuk është përkrahur nga anëtarja e LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se nuk është e nevojshme të ngarkohet veprimtaria e komisionit më shumë sesa është paraparë.
E deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka propozuar që në fushëveprim të përfshihet më qartë arsimi fillor dhe parashkollor, si dhe të përmendet në mënyrë eksplicite universiteti në kuadër të arsimit të lartë.
“Fjala universitet mungon kur flasim për arsimin e lartë. Propozoj që të përmendet, edhe pse mund të jetë e nënkuptueshme. Ne duhet ta rrisim mbikëqyrjen tonë ndaj fushëveprimtarisë dhe vendimeve që marrin universitetet. Po ashtu, është e rëndësishme që temat si agjenda evropiane dhe harmonizimi i synimeve tona me të të jenë prioritare”, ka thënë ajo.
Çështja e integrimit të kujdesit shëndetësor dhe arsimit serb në Kosovë që është ngritur në shtator të vitit të kaluar nga kryeministri Albin Kurti ka ngjallur reagime të shumta në Beograd dhe është kundërshtuar nga Lista Serbe.
E javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka njoftuar se statusi i strukturave dhe shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, të mbështetura nga Serbia në Kosovë, do të zgjidhet brenda kornizës së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet në fuqi të Kosovës.