LAJMET E MBRËMJES

LDK: Qeveria dështoi në realizimin e investimeve kapitale, varfëroi qytetarin

Për mosrealizimin as deri në 9 për qind të buxhetit të paraparë për projekte kapitale, përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK) kanë akuzuar të shtunën Qeverinë, nëpërmjet një konference për media.

Duke iu referuar raportit gjashtëmujor të thesarit të Ministrisë së Financave, Xhafer Tahiri, anëtar i Kryesisë së LDK-së, e ka kualifikuar si “skandal të madh” gjetjen se katër ministri nuk kanë investuar asnjë cent në projekte kapitale.

“Është skandal i madh e i rrezikshëm që katër ministri të Qeverisë së Kosovës e kanë zero për qind realizimin e buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e vitit 2022. Po e nisim me fushën e ekonomisë, industrisë, administrimit lokal e zhvillimit rajonal. Pra, këto janë katër ministri të Qeverisë së Republikës që kanë zero për qind realizim të projekteve kapitale në gjashtëmujorin e parë të 2022-s”, ka thënë Tahiri, duke iu referuar edhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë për Zhvillim Regjional.

Jehona Lushaku, anëtare tjetër e Kryesisë së partisë opozitare, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për investime të ulëta, në kohën e problemeve të shumta.

“Në fushën e shëndetësisë, kur Kosova ka sfida të jashtëzakonshme në sektorin e shëndetësisë, në kohën kur profesionistët janë duke ikur. Në muajt e fundit kanë ikur 108 profesionistë shëndetësorë. Në kohën kur 520 qytetarë vetëm në gjashtëmujorin e parë kanë kërkuar shërim jashtë shtetit, në kohën kur QKUK-ja ka vetëm 51 anesteziologë, në kohën kur kemi mungesë të barnave esenciale e kur shërbimet nga QKUK-ja janë prenotuar deri në vitin 2023, Ministria e Shëndetësisë ka arritur të realizojë vetëm 5 për qind të buxhetit të saj për investime kapitale. Domethënë nga 10 milionë euro të dedikuara për investime kapitale kanë arritur të realizohen vetëm 530 mijë prej tyre”, ka deklaruar Lushaku.

Ajo ka numëruar mungesën e investimeve edhe ngaMministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, veçmas për ndërtimin e çerdheve apo të shkollave të reja.

“MASHTI ka realizuar zero investime në ndërtimin e shkollave në fshatra, e pesë për qind për ndërtimin e shkollave në qendrat urbane... aty ku është jashtëzakonisht e nevojshme. Është e çuditshme se si MASHTI nuk ka arritur të realizojë asnjë cent nga 5 milionë euro të dedikuara për çerdhet e Kosovës, ndërkohë që kemi një krizë për përfshirjen e fëmijëve në çerdhet publike të Kosovës”, është shprehur Lushaku.

Në bazë të shifrave të prezantuara nga LDK-ja për investimet në projekte kapitale, Ministria e Financave ka shpenzuar mbi 500.000 nga mbi 103 milionë euro (apo 1 për qind), ajo e Mbrojtjes rreth 2.8 milionë nga 53, e Punëve të Brendshme 5.3 nga 44.1 milionë (12 për qind), Ministria e Mjedisit 21.6 milionë nga 210 milionë (15 për qind), Ministria e Kulturës 1.3 prej rreth 20 milionë (6.5 për qind), e Bujqësisë 553.000 nga 6.14 milionë (9 për qind) dhe ajo e Punëve të Jashtme rreth 228.000 nga afro 11 milionë (20 për qind). Sipas tabelës së shpërndarë për gazetarët nga zyrtarë të LDK-së del se përqindje më të madhe të buxhetit të realizuar për projekte kapitale ka Ministria për Komunitete dhe Kthim, në të cilën janë shpenzuar 35 për qind e buxhetit apo rreth 1 milion e 48 mijë euro.

Mosrealizimi i buxhetit, sipas zyrtarëve të LDK-së, ka reflektuar paaftësinë dhe mosefikasitet e Qeverisë, ndërsa ka shkaktuar rënien e ekonomisë, uljen e numrit të të punësuarve, si dhe thellimin e varfërisë.