Rreth dy javë pas vizitës në Kosovë, emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka qëndruar sot në Serbi. Në kuadër të përgatitjes për takimin e 16 nëntorit midis dy kryenegociatorëve, ai takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq. Pas takimeve, përfaqësues serbë thanë se temë diskutimi në takimin e së enjtes do të jetë drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë temë e diskutimit mes kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, në takimin e së enjtes në Bruksel, thanë përfaqësues serbë.
Në përgatitje të këtij takimi, emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, takoi të martën në Beograd presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryenegociatorin Petar Petkoviq.
Nga zyra e Vuçiqit njoftuan se në takim, krahas insistimit për formimin e Asociacionit, është shprehur gatishmëria për respektimin e çështjeve të dakorduara në kuadër të dialogut.
“Presidenti Vuçiq vuri në dukje se Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog, për respektimin e çdo gjëje të nënshkruar dhe të rënë dakord, dhe ritheksoi se vendi ynë është për deeskalim, paqe dhe stabilitet, të cilat janë të nevojshme për të siguruar mbijetesën e serbëve në Kosovë. Edhe një herë, presidenti Vuçiq e informoi në detaje përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për peshën e situatës me të cilën ballafaqohen serbët, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit, duke shprehur shpresën se do të arrihen rezultate në procesin e mëtutjeshëm të dialogut. Në takimin e sotëm, presidenti Vuçiq ka insistuar për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa janë diskutuar edhe tema të tjera të rëndësishme në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë”, u tha nga Presidenca e Serbisë.
E Petkoviq, nëpërmjet një konferencë për media, foli për pritjet nga takimi i 16 nëntorit.
“Ne e pranuam ftesën e zotit Lajçak për t’u takuar në Bruksel pas dy ditësh, ku do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pala jonë është shumë e përgatitur dhe shkon me një ekip të veçantë ekspertësh, ku do të diskutojmë tekstin e statutit të Asociacionit, që është hapi i parë konkret drejt formimit të Bashkësisë së komunave serbe”, tha Petkoviq.
Por hollësi mbi temën e takimit nuk ndau emisari Lajçak. Ai njoftoi se me Vuçiqin e Petkoviqin diskutoi mbi rrugën përpara në dialog dhe për hapat e mëtejshëm drejt zbatimit të Marrëveshjes për normalizim.
“Pas vizitës sime në Kosovë, udhëtova edhe në Beograd për t’u përgatitur për takimin e kryenegociatorëve të kësaj jave. Me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me Petar Petkoviqin diskutova rrugën përpara në dialog dhe hapat e mëtejshëm të nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçak.
Në Qeverinë e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS rreth temave që do të diskutohen në takimin e Brukselit.
Para Beogradit, Lajçak qëndroi për vizitë dyditore në Kosovë, rreth dy javë më parë. Pos zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ai mbajti takime me përfaqësues të opozitës, me diplomatë të BE-së, udhëheqësin e ri të KFOR-it dhe me ambasadorin amerikan.