Autoritetet e Kosovës dhe ato të Bashkimit Evropian kanë shprehur vlerësime të ndryshme për situatën e sigurisë në veriun e banuar kryesisht me Serbë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka ndodhur deeskalimi në të katër komunat, ndërkaq në Bruksel kërkuan hapa të “përkufizuar qartësisht” në funksion të deeskalimit.
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se veriu është shtensionuar. Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, ai është shprehur se Kosova ka ndërmarrë veprimet e nevojshme drejt zbatimit të hapave të dakorduar me Bashkimin Evropian në Bratisllavë, me qëllim të deeskalimit të situatës në katër komunat e banuara kryesisht me serbë.
“Deeskalimi në katër komunat në veri është rezultat në njërën anë i arrestimit të elementëve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, si dhe në anën tjetër i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi. Kanë kaluar dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz, e edhe më gjatë prej kur ka pasur protesta të dhunshme”, ka thënë ai.
Kryeministri tha se eskalimi i situatës në veriun e Kosovës e ka burim Serbinë.
“Tani duhet parandaluar rieskalimi. Kur s’ka protesta të dhunshme të planifikuara, të organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës. Kosova është gjithashtu duke zbatuar me përpikmëri dakordimin e arritur në Bratisllavë më 10 korrik të këtij viti”, ka deklaruar Kurti.
Zyrtarë qeveritarë kanë akuzuar Serbinë edhe për intensifikim të fushatës kundër Kosovës, në prag të rinisjes së dialogut. Fushata ka prodhuar akuza në distancë edhe ndërmjet përfaqësuesve më të lartë të Serbisë në njërën anë, e atyre të Malit të Zi.
BE-ja ka kërkuar nga të dyja palët të punojnë akoma më shumë për depërshkallëzim dhe zbatim të Marrëveshjes Bazë për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksit të Ohrit.
“Ka pritshmëri të qartë nga ana e BE-së që palët të ndërmarrin hapa të përkufizuara qartësisht për deeskalim. Është thelbësore që Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, i udhëhequr nga përfaqësuesi i Lartë, si dhe zbatimi me shpejtësi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksi i Zbatimit të tij të vazhdojnë pa vonesa të mëtejshme”, ka deklaruar Stano.
Marrëveshja dhe Aneksi nuk janë nënshkruar nga palët, me insistim të Serbisë. Por, BE-ja ka dhënë qëndrimin se të dyja dokumentet janë obliguese për palët.