LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Terrorizmi vazhdon të mbetet një nga kërcënimet për sigurinë botërore

22-vjetori i sulmit terrorist në Nju-York është përkujtuar të hënën nga liderë institucionalë e partiakë. Pllaka përkujtimore “Kosova kujton” u mbush me kurora lulesh, nga ku kryeministri Albin Kurti theksoi se terrorizmi vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore. E 11 shtatori u vlerësua si datë e ndryshimit të rrjedhës së historisë nga presidentja Vjosa Osmani

2977 viktimat e sulmit të përgjakshëm terrorist në New-York u përkujtuan të hënën edhe në Kosovë.

Te pllaka përkujtimore për nder të 11 Shtatorit, “Kosova kujton”, që gjendet në oborrin e objektit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe zëvendësambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Alyson Grunder, vendosën kurora lulesh në 22-vjetorin e sulmit.

Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se terrorizmi vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore.

“Terrorizmi në nivel global ka marrë shumë goditje, por ai vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore, një kërcënim i atillë që nuk duhet të injorohet dhe që duhet konsideruar në çdo përllogaritje të vigjilencës së institucioneve shtetërore të sigurisë”, tha Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani tha se kjo ditë 22 vjet më parë ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë.

“Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, tha Osmani.

E, para obeliskut “Kosova kujton”, që para 4 vjetëve e përuroi sa ishte kryeministër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj, vlerësoi afërsinë e popullit shqiptar me atë amerikan.

“Përvjetori i sulmeve terroriste në tokën amerikane, një tokë e lirë e që mbrojti lirinë tonë dhe demokracinë në gjithë botën. Edhe unë bashkë me kolegë ashtu si të gjithë në këtë ditë vazhdojmë të qëndrojmë dhe qëndrojmë përjetë me Amerikën”, tha Haradinaj.

Në nderim të viktimave, shoqata “Miqtë e Amerikës” mbajti disa aktivitete me moton “Kosova nuk harron”. Zjarrfikësit e Prishtinës pastruan platenë e shtatores së ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

22 vjet më parë, 19 persona nga grupi terrorist “Al-Kaida” i rrëmbyen katër avionë me pasagjerë civilë, të cilët më pas i përplasën për dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju-Jork, dhe për godinën e Pentagonit në Uashington. Në mesin e viktimave ishin edhe tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj e Rrok Camaj.