Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidentja Vjosa Osmani, kanë shkruar me rastin e përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti ka shkruar në Facebook të hënën se terrorizmi në nivel global ka marrë shumë goditje, por sipas tij, ai vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore. Kreu i Qeverisë ka shtuar të hënën se kërcënimet nga terrorizmi nuk duhet të injorohen, derisa për të, SHBA-ja është prijetare në luftën nga terrorizmit.
“Në vitet në vijim, shumë organizata dhe grupe të ndryshme terroriste nëpër botë, u trimëruan dhe u frymëzuan nga sulmet e 11 shtatorit, duke shkaktuar mijëra viktima në sulme terroriste nëpër shumë vende të botës. Atë kohë, administrata amerikane e Presidentit George Ë. Bush, u zotua që terrorizmi kurrë nuk do të ngadhënjejë. Më shumë se dy dekada nga atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’i prijnë luftës globale kundër terrorizmit, kurse shumë vende mes të cilave edhe Republika e Kosovës, është rreshtuar në këtë luftë të përbashkët. Sikurse ShBA-të ashtu edhe Kosova besojnë në të njëjtat vlera demokratike dhe qytetëruese si dhe ndajnë të njëjtat pozicione gjeopolitike dhe qëndrime gjeostrategjike si shtete aleate e mike”, ka shtuar tutje në Facebook.
E për Osmanin, 11 shtatori i vitit 2001 ndryshoi rrjedhën e historisë përgjithmonë.
“Sot, krahas aleatëve tanë amerikanë, nderojmë 3 mijë viktimat e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa riafirmojmë përpjekjet tona të çdoditshme në mbrojtje të lirisë e demokracisë, vlera të cilat definojnë miqësinë dhe partneritetin tonë të përhershëm”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Për kujtim të 11 shtatorit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Alyson Grunder kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore, “Kosova Kujton”, e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
-
Kosova e kujton sulmin terrorist të 11 shtatorit në SHBA si ditën kur bota u nda në dysh
-
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nderojnë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit
-
Kurti uron SHBA-në në 250-vjetorin e pavarësisë, kujton mbështetjen amerikane për Shqipërinë dhe Kosovën
-
Kurti: Aleanca me SHBA-në e pazëvendësueshme, Kosova gjithmonë mirënjohëse
-
Osmani: Aleanca me SHBA-në mbetet boshti i pathyeshëm