LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Serbia, rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës

"Me miliona të shpenzuara për lobimin dhe komunikimin botëror, lufta propagandistike e Serbisë në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike, në çdo skaj të botës, mesazhe të rrejshme kundër Republikës sonë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në hapje të edicionit të tetë të Konferencës së Ambasadorëve

Përpjekjet e Serbisë për ta minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve, Kuti ka thënë se përfaqësimi i Kosovës nga diplomatët e saj është jetik jo vetëm për mbrojtjen, por edhe për afirmimin e saj.

“Me miliona të shpenzuara për lobimin dhe komunikimin botëror, lufta propagandistike e Serbisë në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike, në çdo skaj të botës, mesazhe të rrejshme kundër Republikës sonë”, ka thënë Kurti. “Në këtë betejë, nuk kemi mundësi që ne ta mbyllim hendekun financiar me Serbinë, prej shumë miliona eurosh, në fushën e lobimit dhe të komunikimit në masë. Mirëpo, ajo që e kemi ne dhe që kurrë nuk mund të ketë Serbia, është një kauzë e drejtë dhe një përkushtim i palëkundur për paqe dhe siguri në rajon dhe më tej. Kjo kauzë dhe ky përkushtim, bashkë me punën dhe pasionin tuaj si përfaqësues të Republikës sonë, nuk mund të blihen me asnjë çmim dhe nuk mund ta kenë asnjëherë askund ndonjë zëvendësim”.

Kurti tha se mbajtja e kësaj konference vjetore tregon se Ministria e Punëve të Jashtme është i vetmi dikaster në qeveri që i ka gjithsej 53 degë të ndryshme të shpërndara në gjashtë kontinente, përveç Antarktikut. Ai tha se i kemi 34 ambasada, 12 konsullata të përgjithshme, katër konsullata, dy misione të posaçme dhe një zyrë ndërlidhëse.  

"Kjo shpërndarje e gjerë e përfaqësive, e cila është shpërndarja më e gjerë në historinë e Republikës sonë, përbën njëkohësisht edhe avantazh, edhe sfidë. Avantazhi është se ia mundëson shtetit tonë që t’i ketë 53 zëra të fuqishëm nëpër botë, për t’i shtyrë përpara interesat më të rëndësishme të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ndërkaq, sfida kryesore është se si ta gjejmë një mënyrë që të gjithë këta zërat tuaj të mos funksionojnë të pandërlidhur me njëri-tjetrin, por në harmoni të plotë, si një kor i vetëm, me ministrinë këtu në Prishtinë në rolin e dirigjentit", ka theksuar Kurti. 

Se Serbia është rrezik për Kosovën e ka thënë edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Serbia jo vetëm që refuzon ta njohë shtetin tonë, por zhvillon fushata të hapura për ta minuar subjektivitetin tonë ndërkombëtar, i pengon proceset integruese dhe financon dhe udhëzon struktura kriminale në vendin tonë. Këto veprime nuk janë thjesht kundërshti politike, ato janë sulme të drejtpërdrejta ndaj Republikës së Kosovës”, është shprehur Gërvalla.

Në konferencë Gërvalla ka folur edhe për sukseset që, sipas saj, e kanë karakterizuar këtë vit.

“Gjatë këtij viti i kemi arritur edhe dy njohje të reja të shtetësisë së Kosovës, duke e forcuar pozicionin tonë ndërkombëtar dhe duke dëshmuar se puna e koordinuar diplomatike jep rezultate konkrete. Po ashtu, e kemi siguruar anëtarësimin në një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare, duke e zgjeruar hapësirën ku Kosova është e pranishme dhe aktive”.

Konferenca e 8-të e Ambasadorëve, punimet e së cilës u hapën të hënën, do të zgjasë tri ditë.

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme, punimet e konferencës do të jetë të ndara në disa sesione të parapara për planifikimin strategjik të politikës së jashtme dhe forcimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.