LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Marrëveshja Bazë të zbatohet e plotë dhe pa kushte

Kryeministri Albin Kurti takoi presidenten e Këshillit Evropian, Ursula Von Der Leyen, në margjina të Samitit të Athinës, në të cilin mori pjesë. Kurti shprehu nevojën për zbatimin e marrëveshjes bazë e Von Der Leyen bëri thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës. Ajo adresoi kërkesa që lidhen me procesin e dialogut, edhe në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar të martën zbatimin e Marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, pas takimit në kryeqytetin grek me presidenten e Këshillit Evropian, Von Der Leyen.

Të dy morën pjesë në Samitin e Athinës, bashkë me përfaqësues shtetërorë të Greqisë, Kroacisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Rumanisë, Ukrainës e Moldavisë.

“Kënaqësi ta takoj presidenten e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen në Athinë. Folëm për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin rajonal, Planin e BE-së për rritjen (ekonomike) të Ballkanit Perëndimor dhe për dialogun. Për këtë të fundit, e theksova rëndësinë për zbatimin e plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërkaq, Von Der Leyen ka shtruar nevojën për shtensionimin e situatës veriun e banuar kryesisht me serbë.

“Kam diskutuar me kryeministrin Albin Kurti për nevojën për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe implementimin e marrëveshjeve për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është jetike që të ulen barrierat në rajon dhe të sillet Ballkani Perëndimor më afër BE-së”, ka shkruar Von Der Leyen.

Presidentja e Këshillit Evropian e ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit po ashtu i kërkoi hapa për depërshkallëzim.

“Fola me presidentin Aleksandar Vuçiq për nevojën e angazhimit konstruktiv për deeskalim në veriun e Kosovës dhe për progresin e Serbisë në rrugën drejtë BE-së”, ka deklaruar Von Der Leyen.

Samiti i Athinës është përmbyllur me nxjerrjen e një deklarate, në gjysmën e parë të së cilës shprehet mbështetja për Ukrainën. Në të shprehet edhe pajtimi se nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për krimet e luftës.

“Pushtimi rus i Ukrainës është moment kyç për të ardhmen e Evropës, krijon një nivel të ri të vetëdijes për parimet e përbashkëta, unitetin dhe të ardhmen e përbashkët në BE. Është kohë kritike për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e kontinentit tonë evropian”, thuhet në pikën e parë. “U pajtuan që nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për krime të luftës dhe krime të tjera siç janë sulmet në civilë e shkatërrimi i infrastrukturës dhe të gjithë përgjegjësit duhen mbajtur përgjegjës”, vijohet në të katërtën.

Në gjysmën tjetër të deklaratës është rikujtuar se janë bërë 20 vjet prej samitit të Selanikut, kur për herë të parë u afirmua fakti se vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina e Moldavia, kanë të kaluar dhe të ardhme evropiane dhe duhen bërë përpjekje për integrimin e tyre në BE.

“Sot në Athinë, diskutuam për të ardhmen, në mënyrë që ky vizion i Evropës të bëhet realitet. Theksuam rëndësinë e përcaktimit të cakut lidhur me përmbushjen e vizionit të një BE-je të pasuruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, dhe me Republikën e Moldavisë. Vumë theksin te nevoja për proces me energji të re e me fokus të ri të zgjerimit që është i prekshëm dhe kredibil, pa rrugë të shkurtra ndaj kushteve të vendosura. Shprehëm përkushtimin që ta mbështesin Ukrainën dhe Moldavinë për të ndërmarrë hapat e mëtejmë në procesin e anëtarësimit sapo t’i përmbyllin reformat e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Nga vendet e rajonit, në samit nuk pati përfaqësim vetëm Shqipëria, ndonëse i ftuar ishte presidenti Bajram Begaj. Ndërkaq, personaliteti që mori më shumë vëmendje ishte presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.