Qeveria ka mirëpritur vendimin e BE-së për heqjen e një pjese të masave ndëshkuesve ndaj Kosovës, e të cilat sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti kanë qenë të padrejta që nga dita e parë e vendosjes. Kurti në mbledhjen e Qeverisë mbajtur të premten ka theksuar se masat më të mëdha financiare, Kosova nuk i ka vuajtur nga BE-ja por nga opozita, duke iu referuar kështu mosvotimit të Planit të Rritjes e disa marrëveshjeve ndërkombëtare me vlerë financiare afro një miliardë euro
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se asnjëherë nuk kanë qenë të hidhëruar me Bashkimin Evropian, ani se Brukseli zyrtar për dy vjet e gjysmë i mbajti në fuqi masat ndaj Kosovës. Në mbledhjen e Qeverisë mbajtur të premten, Kurti ka mirëpritur heqjen e një pjese të tyre, duke thënë se masat kanë qenë të padrejta që nga dita e parë e vendosjes.
“Sepse, së pari, institucionet e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe së dyti, sepse deeskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Derisa ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, e atë në kanalin e Ibër Lepencit në nëntor të vitit pasues, Kurti ka thënë se çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën.
“Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës, është pikërisht, sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik. E me gjithë këto, gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Evropian. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë dhe kampionë të vlerave demokratike”, ka theksuar Kurti.
Një ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se masat ndaj Kosovës do të hiqen në tërësi në fund të janarit, derisa një pjesë e tyre është hequr gjatë kësaj jave. Masat financiare e politike ndaj Kosovës janë vendosur në qershor të vitit 2023, pas tensioneve që shoqëruan vendosjes së kryetarëve shqiptar në komunat e banuara kryesisht me serbë. Ato nuk u hoqën as pas zbatimit të marrëveshjes së Bratislavës, të arritur disa javë pas vendosjes së masave.
Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë të premten se masat më të mëdha financiare, Kosova nuk i ka vuajtur nga BE-ja por nga opozita, duke iu referuar kështu mosvotimit të Planit të Rritjes e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Në muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe të votës së opozitës. Andaj, uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”, ka deklaruar ai.
Kabineti qeveritar, në mbledhjen e së premtes vendosi që të financoj ndërtimin e një memoriali për Familjen Jashari e Epopenë e UÇK-së në Horë të Arbëreshëve në Itali. Kryeministri Kurti ka thënë se memoriali do të jetë donacion i Qeverisë për arbëreshët në Itali.
Qeveria ndau edhe 1.65 milionë euro për studentët që kanë përfituar nga programi i bursës së mobilitetit.
“Kjo bursë synon që të zvogëlojë pabarazitë dhe të krijojë mundësi edhe për ata studentë, që vijnë nga zonat e largëta e që për ta studimet do të ishin më të kushtueshme. Me këtë, është përmbushur qysh tash njëri nga premtimet e Qeverisë sonë për mandatin e ardhshëm. Duke qenë Qeveri në detyrë tashmë po kryejmë edhe detyra të së ardhmes”, ka deklaruar ai.
Qeveria ka marrë edhe disa vendime për shpronësime pronash që preken nga realizimi i projekteve, si ai i parkut me erë në Zatriq, i lidhjes së komunës së Vitisë në autoudhën Prishtinë-Hani i Elezit, ndërtimit të rrugës transit Klinë-Gurakoc e zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë.
Ekzekutivi ka miratuar edhe vazhdimin e mandatin e komisionit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, deri më 20 mars, si dhe ka ndarë 50 mijë euro për trajtimin shëndetësorë të veprimtarit Hafiz Gagica i cili vuan nga një sëmundje e rëndë. Qeveria në këtë mbledhje ka vendosur regjim të vizave për hyrje në Kosovë ndaj qytetarëve të Fijit.