LAJMET E MBRËMJES

Kurti i përgjigjet SHBA-së, refuzon propozimin e Vuçiqit për rrymën

Ndryshe e ka parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklarimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Të mërkurën emisari i SHBA-së, Garbriel Escobar, tha se kjo iniciativë ka sukses nëse përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e ato janë të një niveli të njëjtë.

Por, sipas kryeministrit Kurti, SHBA-ja e ka bërë të qartë se nuk ka themelim të “Ballkanit të Hapur” pa qenë të gjashtë shtetet aty.

“Ballkani është i hapur ndaj Bashkimit Evropian, duhet të jetë plotësisht i hapur edhe ndaj NATO-s, nuk është i hapur ndaj NATO-s për shkak të fqinjit tonë verior dhe Republikës serbe në Bosnjë, të cilët po e mbështesin Kremlinin në invazionin dhe agresionin ushtarak gjatë Ukrainës”, ka deklaruar Kurti.

Sipas ish-kryeministrit Avdullah Hoti, përfshirja e Kosovës në “Ballkanin e Hapur” mund të bëhet në koordinim me SHBA-në.

E në kohën kur nënshkroi marrëveshje që parasheh përfshirjen në këtë iniciativë, Hoti tha se nga Amerika morën garanci për trajtim të barabartë.

“Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me partnerin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bashkimin Evropian. Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” vetëm në koordinim dhe me garancitë e SHBA-së”, tha Hoti.

Të mërkurën në samitin e “Ballkanit të Hapur” presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozoi që në këmbim të thëngjillit të Kosovës të ofrojë rrymë.

Propozimit të presidentit Vuçiq i është përgjigjur negativisht kryeministri Kurti.

“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra, në vend të territorit të Kosovës tash po kërkon qymyr nga Kosova, por ai duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duhet t`i pranojë krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë dhe duhet të distancohet edhe nga presidenti despotik Putin, përveçse nga Millosheviqi, ministër i së cilit pati qenë atëherë”, shtoi Kurti.

Kryeministri ka folur edhe për vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, nga i cili theksoi se pret fillim të ri e energjik të Procesit të Berlinit.