Arbëri

Kosova pritet të “izolohet” nga Ballkani i Hapur

Mali i Zi ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, ndërkaq është paralajmëruar se të njëjtën do ta bëjë edhe Bosnjë-Hercegovina. Por, kryeministri Kurti ka refuzuar ftesën për pjesëmarrje në këtë takim dhe i ka dhënë arsyet për këtë. Analistë politikë nga rajoni paralajmërojnë pasoja për Kosovën, nëse ajo mbetet e vetme jashtë Ballkanit të Hapur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të jetë lideri i vetëm i vendeve të rajonit, që nuk do të marrë pjesë në samitin e “Ballkanit të Hapur”, nismë së cilës Kosova refuzon t`i bashkohet.

Për samitin që do të mbahet në Ohër javën e ardhshme, kryeministri Kurti ka marrë ftesë nga homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kurti ka justifikuar përgjigjen negative që e ka dhënë në këtë ftesë.

“Ballkani Perëndimor është i hapur për NATO-n, për BE-në, për Mbretërinë e Bashkuar. Nuk besoj që duhet të hapemi për ndonjë ndërhyrje verilindore ose lindore. Jemi në rregull. Dhe mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit 2.0 tashmë, me një nisje të freskët nga kancelari Scholz, e mbështesim iniciativën e BE-së me vlerat evropiane brenda dhe BE-ja që të na ndihmojë, por jo jashtë BE-së”, ka thënë në përgjigje Kurti.

Analistë politikë në Maqedoninë e Veriut vlerësojnë se rezultatet që priten në rajon pas jetësimit të Ballkanit të Hapur, do t’i tërheqin edhe shtetet e tjera, si Kosovën.

“Këto rezultate do të përcaktojnë edhe vendimin ose do të përcaktojnë atë nëse Qeveria e Kosovës ka pasur të drejtë që të mos përfshihet në këtë iniciativë ose jo. Por unë mendoj që qëllimi i këtij bashkëpunimi është i mirë dhe në drejtim të heqjes së barrierave të ndryshme të kufijve midis shteteve që të qarkullojnë lirshëm si njerëzit, mallrat, shërbimet, tregu i punës e kështu me radhë”, ka thënë Xhelal Neziri.

Sipas Nezirit, çështjet e hapura që Kosova ka me Serbinë nuk do të duhej të ishin pengesë e këtij bashkëpunimi rajonal.

E profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se Kosova mund të ketë pasoja, nga mospërfshirja në këtë nismë rajonale.

“Në qoftë se ngelem ne jashtë, jep propozim që edhe dialogu ngecë, atëherë vetizolohesh dhe në qoftë se vetizolohesh ke problem serioz me bo biznes me botën që të rrethon”, ka thënë Hasani.

Nismës së Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë për Ballkanin e Hapur, ka paralajmëruar t`i bashkohet në samitin e Ohrit edhe Mali i Zi, ndërkaq janë dhënë paralajmërime se një gjë të tillë do ta bëjë edhe Bosnjë-Hercegovina.