LAJMET E MBRËMJES

Votimi me asistencë ngjall debat e polemika mes anëtarëve të KQZ-së

KQZ

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, një qytetare në Gjakovë u ndalua nga komisionarët e qendrës së votimit “Fehmi Agani” të asistojë prindërit e saj për të votuar. Votimi me asistencë për qytetarët që nuk dinë shkrim-lexim ka ngjallur debat edhe në përfundimin e mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këtë vendim e ka kundërshtuar përfaqësuesi i PDK-së

Problemet që janë shfaqur në rundin e dytë të zgjedhjeve te votuesit me asistencë që nuk dinë shkrim-lexim ka ngjallur debat mes përfaqësuesit të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani dhe atij të Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, në një nga mbledhjet e këtij institucioni gjatë së dielës.  

Debati është bëra pasi një grua në Gjakovë është ndaluar nga komisionerët e qendrës së votimit në shkollën “Fehmi Agani” që t’i asistojë prindërit e saj të votonin.

Ajo ka thënë se komisionerët i kanë kërkuar raport mjekësor për prindërit, me arsyetimin se vetëm me dëshmi mjekësore mund të lejohet asistenca gjatë votimit. 

Ajo ka kërkuar ndihmë edhe nga kandidati për kryetar, Ardian Gjini.

“Hera e dytë e njëjta procedurë, hera e tretë e njëjta. Unë veç me i përcjellë deri te kabina, s’kam nevojë me votu për ta. Ata dinë për kë me votu. Tash unë duhet me i çu në shtëpi, se s’kanë qysh me votu. Fola me KQZ-në, më thanë që pa dokument të mjekut s’mund të lejohet. Po kur dihet që ka të sëmurë, pse nuk e sjellin nga një mjek këtu”, ka thënë qytetarja.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se për këto raste ka pasur sqarime që janë bërë me kohë. 

“Personat që nuk dinë shkrim e lexim kanë të drejtë vote, por jo me asistencë. Asistenca mund të shkojë vetëm deri te kutia e votimit, por jo më tej pra, jo me votu dikush për ta”, ka thënë Radoniqi.

Ai ka shtuar se për të mos abuzuar me votimin duke i asistuar këta persona, është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës.

“Kjo nuk nënkupton që në emër të kësaj të drejte të garantuar, të abuzohet dhe në këtë kategori të tentojnë të hyjnë personat që nuk kanë aftësi të kufizuar. Sipas rregullores zgjedhore të KQZ-së, me qëllim të mënjanimit të çfarëdo keqpërdorimi është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës”, ka thënë Radoniqi.

Edhe në një mbledhje të KQZ-së që ishte mbajtur dy javë më parë, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, pati ftuar Prokurorinë të hetojë votat me asistencë në komunën e Hanit të Elezit.