Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë dorëzuar të dielën në Kuvend dosjen për vettingun në drejtësi. Ata e kanë kualifikuar si të domosdoshëm procesin, teksa kanë vlerësuar se prokurorët dhe gjyqtarët nuk janë duke e kryer punën konform dispozitave ligjore dhe kushtetuese. Kurti e Haxhiu kanë theksuar se neglizhenca në institucionet e drejtësisë ka çuar deri te dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë. Ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar nga Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit, të cilët pretendimet e kryeministrit i quajtën të pavërteta
Vettingu në sistemin e drejtësisë është kualifikuar si i domosdoshëm nga ekzekutivi.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë vlerësuar gjatë një konference të përbashkët shtypi se gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë duke e kryer punën konformë dispozitave ligjore dhe kushtetuese.
Duke u nisur nga rasti i dhunimit të ditëmëparshme të vajzës 11-vjeçare nga pesë persona në Prishtinë, kryeministrit Kurti ka theksuar se mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve që lidhen me dhunën seksuale.
E neglizhencën e tyre, Kurti ka thënë se janë duke e paguar qytetarët.
“I akuzuar dhe i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ec i lirë nëpër rrugët e Prishtinës. Dhunuesi lirohet pas tetë muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, dhunuesi e përsërit veprën e madje dhunuesi edhe vret. Nuk ka alternativë ndaj vetingut të sistemit gjyqësor e prokurorial”, ka thënë Kurti.
Sipas ekzekutivit, në mbi 85 për qind e këtyre rasteve, viktimat kanë qenë vajza të mitura.
“Para dy ditëve janë arrestuar 6 persona që dyshohen se dhunuan fëmijën 11-vjeçar. Po të vepronte prokuroria me kohë, ata do të arrestoheshin më herët. Vepruan pas dy muajve. Është me rëndësi që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës të jap dorëheqje”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshimet në sistemin e drejtësisë, ekzekutivi i ka vendosur tani në duar të deputetëve. Pas konferencës për media, Kurti dhe Haxhiu kanë dorëzuar dosjen për vettingun në Kuvend.
Ata kanë bërë të ditur se të gjitha dokumentet janë në koordinim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
KOHA ka raportuar gjatë javës se në aktgjykimet e nxjerra brenda tre muajve të fundit, gjykatat kanë shqiptuar dënime të buta për trafikantët e vajzave të mitura, dhunuesit recidivistë dhe sulmuesit seksualë.