Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se të dielën ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët kanë dorëzuar dosjen me dokumentet përkatëse për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë.
Konjufca e ka quajtur vettingun një reformë të domosdoshme për sundimin e ligjit.
“Procesi gjithëpërfshirës i vettingut, siç e kemi theksuar njëzëri, është një reformë e domosdoshme për sundimin e ligjit. Kjo është po ashtu një kërkesë shoqërore e kahmotshme për Kosovën. Krijimi, votimi dhe implementimi i tij është një hap jetik për mbarëvajtjen e shtetit dhe njëra nga reformat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë që e ngrit efikasitetin dhe profesionalizmin”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Sipas tij, procesi i vettingut do ta forcojë sistemin e drejtësisë që ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Dorëzimi i dosjes është bërë pas konferencës së përbashkët për media që patën Kurti e Haxhiu.
Edhe
Dosja për vettingun në drejtësi dorëzohet në Kuvend
“Pas një pune intensive, e konsultimeve me grupe parlamentare, po e dorëzojmë në Kuvend dosjen për dokumentet e vettingut, përfshirë amandamentet kushtetuese për vettingun, draftin, projektligjin për vettingun, e dokumentin shpjegues lidhur me vettingun të hartuar nga Ministria e Drejtësisë”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.