Vettingu është zgjidhja për situatën, në të cilën sipas kryeministrit Albin Kurti gjendet sistemi i drejtësisë në Kosovë. Teksa ka adresuar kritika për joefikasitet e për raste të shumta të kthyera në rigjykim, shefi i ekzekutivit ka thënë se vendimet meritore merren vetëm pas reagimeve të opinionit publik. Komentet Kurti i bëri në mbledhjen e kabinetit qeverisës, ku u miratuan disa vendime
Sistemi i drejtësisë është vënë sërish në shënjestër të kryeministrit Albin Kurti.
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën, Kurti ka thënë se drejtësia vazhdon të jetë joefikase, e ngadaltë dhe e karakterizuar me raste të shumta rigjykimi e vendime jo të duhura ndëshkimore.
Duke folur për rastin e fundit me burgim të përjetshëm, atë të vrasësit të Marigona Osmanit, Kurti tha se vendimi, sipas tij, i drejtë është për meritë të reagimit shoqëror.
“U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që Gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor”, tha ai.
Kurti kritika në veçanti adresoi për Gjykatën e Apelit, për të cilën tha se gjatë vitit të shkuar në rigjykim ktheu 1.754 raste.
“Andaj, reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja. Tash e 5 muaj jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese t’i hapë sa më shpejt rrugë jetësimit të kësaj reforme. E koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur”, theksoi kryeministri.
Pos për drejtësinë, kryeministri Kurti, anëtarëve të kabinetit iu foli edhe për letrën e deputetëve europerëndimorë drejtuar SHBA-së, BE-së e Britanisë së Madhe.
Tha se për Kosovën është zhvillim pozitiv.
“Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për deeskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”, deklaroi Kurti.
Ekzekutivi, të mërkurën, ndau 254 mijë euro për tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për vitin e ri shkollor.
Përmes një udhëzimi administrativ u vendosën masa edhe për ndalimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në klubet e natës e hapësira të ngjashme.
Aprovimin e Qeverisë e morën edhe projektligji për ratifikimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare në sektorin e bujqësisë, si dhe nisma për negocimin e grantit për përmirësim e rehabilitim të sistemeve të ujitjes.