LAJMET E MBRËMJES

Kurti: 12 Qershori, simbol i kryengritjes dhe lirisë

Me rastin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar nga Prekazi sakrificën e familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, duke e theksuar rëndësinë e këtij vendi si simbol të kryengritjes dhe të lirisë. Kjo ditë është përkujtuar me homazhe nga udhëheqës institucionalë dhe liderët politikë, në nderim të atyre që kanë kontribuuar për lirinë e vendit

Arianita Hoti

Me organizime të ndryshme, Kosova e ka shënuar të enjten 26-vjetorin e Ditës së Çlirimit. 

Më 12 qershor të 1999-s, forcat paqeruajtëse të NATO-s kanë hyrë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës që ka lënë të vrarë më shumë se 13.500 civilë, shumica shqiptarë, pas një fushate ajrore të Aleancës Veriatlantike kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se 26 vjet më parë “mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”.

“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në këtë ditë të veçantë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla-Schwarz dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Sa herë që vjen 12 qershori rikthehemi në Prekaz, në këtë vend që paraqet kryeqytetin e kryengritjes sonë, në këtë vend të familjes së jashtëzakonshme Jashari, aq të jashtëzakonshme, saqë të papërsëritshme dhe të kryekomandantit Adem Jashari, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila ishte bartëse e procesit të lirisë, që pata 26 vjetësh u shoqërua edhe me ndërhyrjen e avionëve të NATO-s kundër Serbisë armike, agresore, pushtuese, okupatore e sidomos shoveniste ndaj shqiptarëve”, ka thënë Kurti.

Ai e ka nderuar edhe figurën e Adem Demaçit, duke e vlerësuar atë si simbol të qëndresës dhe të përkushtimit për liri.

“Baca Adem, Adem Demaçi, kur pati dalë nga burgu, pati thënë që dola nga një burg i vogël në burgun e madh, sepse ishim nën okupimin e egër të Serbisë, me një regjim shovenist antishqiptar. Prandaj, edhe Dita e Çlirimit, 12 Qershori, është si një thyerje e një burgu të madh, që quhej në Kosovë, sepse u çlirua populli dhe po tërhiqeshin të gjitha forcat policore e ushtarake të Serbisë. Andaj, sot, në Ditën e Çlirimit dhe të paqes, vumë lule të freskëta edhe te varri i bacës Adem, si simbol i rezistencës sonë dhe veprimtar i paepur, i cili nuk u kursye asnjëherë dhe dha gjithçka për më të mirën dhe më të mbarën e vendit tonë”, ka theksuar Kurti.

Në Prekaz, homazhe kanë bërë edhe drejtues të Partisë Demokratike (PDK). 

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se në kohën e luftës në Kosovë, UÇK-ja më shumë sesa një ushtri ka qenë mishërimi i aspiratës shekullore të popullit për liri dhe dinjitet.

E kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar këtë ditë si historike, duke e kujtuar sakrificën e brezave që kanë luftuar për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Për përvjetorin e çlirimit të Kosovës, nderime për qëndresën e popullit të Kosovës dhe për përkushtimin e aleatëve për ta ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe mirëqenie kanë shprehur në Ambasadën amerikane në Prishtinë. 

“Sot bëhen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. Data 12 qershor 1999 ishte pikë kthese - një moment që ua mundësoi familjeve të zhvendosura të kthehen dhe komuniteteve të fillojnë rindërtimin”, kanë shkruar nga Ambasada amerikane në platformën X.

E në Ambasadën gjermane kanë thënë se vendosja e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, në qershorin e 99-s ka sjellë stabilitet dhe siguri në Kosovë.

“Siç u shpreh Lord Robertson, ish-sekretar i Mbrojtjes i Britanisë dhe sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: ‘Qëllimi ishte: forcat e Millosheviqit jashtë, NATO brenda dhe refugjatët të kthehen’. Misioni u përmbush”, është shkruar në llogarinë e Ambasadës gjermane në Facebook.

Në këtë ambasadë kanë theksuar se Gjermania mbetet një prej partnerëve më të ngushtë të Kosovës, duke e mbështetur në rrugën e saj drejt të ardhmes së qëndrueshme dhe të begatë.

“Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është shndërruar në një histori suksesi, duke u rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare”, kanë shkruar në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Fushata bombarduese e NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe, që zgjati për 78 ditë, ka përfunduar më 10 qershor të 1999-s, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me kapitullimin e Serbisë dhe me tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë e vendosi administratën e përkohshme të OKB-së – UNMIK - për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë e forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës - prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s - që erdhën në Kosovë.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.

Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t'i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

Në luftën e viteve 1998-'99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona. Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet. Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë. Ndër ta ka qenë edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë. Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur. Njëzetegjashtë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.