LAJMET E MBRËMJES

Kryesuesi Kupina merr lëndime në përleshjen fizike me asamblistin e LDK-së, Sami Salihu

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka marrë lëndime dhe është trajtuar në Emergjencë, pas përleshjes fizike që e ka pasur të mërkurën me asamblistin e Lidhjes Demokratike, Sami Salihu, menjëherë pas mbylljes së seancës për buxhetin. Pas rastit, janë shoqëruar në polici tre persona

Ka përshkallëzuar në përleshje fizike debati i nisur të mërkurën në seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në rend dite të të cilit ka qenë buxheti për vitin e ardhshëm.

Lëndime ka marrë kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, i cili gjatë mandatit ka dalë nga Lidhja Demokratike (LDK) dhe në zgjedhjet lokale garon me subjekt të veçantë. Sipas këtij subjekti politik, Kupina është sulmuar nga asamblisti i LDK-së, Sami Salihu, porse përfaqësues të kësaj partie kanë thënë se ka ndodhur e kundërta.

Në urgjencën e kryeqytetit kanë konfirmuar se Kupina ka marrë lëndime.

“Ka pasur një lëndim në fytyrë (gërvishtje) dhe hipertension, prandaj e kemi dërguar në qendrën emergjente”, ka thënë Amire Dragusha, e cila është drejtoreshë e Urgjencës.

Lidhur me rastin, KOHA ka provuar të kontaktojë me Kupinën, porse ai nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike dhe në mesazhet që i janë përcjellë. Ndërkaq, Salihu ka thënë se do të përgjigjet më vonë, porse më pas nuk ka qenë i qasshëm.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia.

“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK”, në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana.

Përleshja fizike në Komunën e Prishtinës është përcjellë me reagime të shumta. 

Në Lidhjen e Prishtinës, e cila për zgjedhjet e 12 tetorit ka për prijës Kupinën, e kanë dënuar rastin.

“Ky akt i dhunshëm, i kryer në ambientin e punës, paraqet dështim serioz të mekanizmave të sigurisë dhe është krejtësisht i papranueshëm”, kanë thënë në këtë subjekt. “Dhuna ndaj një përfaqësuesi të popullit është sulm ndaj gjithë procesit demokratik dhe ndaj vlerave që i mbajnë institucionet tona”.

E asamblistja e LDK-së, Fiknete Bejta, fajin për sulmin fizik ua ka bartur Kupinës dhe familjarëve të tij.

“Ky sulm, i kryer nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin e Kuvendit, Fehmi Kupina, është jo vetëm një dhunë e paprecedentë ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve, por edhe një goditje e rëndë ndaj demokracisë, institucioneve dhe dinjitetit të Kuvendit të Kryeqytetit”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Por qëndrime ndryshe kanë shprehur kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar komune në Prishtinë, Hajrulla Çeku, dhe asamblisti i Partisë Demokratike (PDK), Leutrim Retkoceri, të cilët e kanë akuzuar LDK-në për veprime kundër parimeve politike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës sot sulmoi njeriun që udhëheq me Kuvendin Komunal, z. Fehmi Kupina. Përveçqë e papranueshme, kjo sjellje shkon kundrejt parimeve politike, ku dallimet në pikëpamje janë vlerë e shtuar. Bëjmë thirrje për organet kompetente që të marrin masa dhe të ndëshkohen dhunuesit”, ka thënë Çeku.

Ndërkaq, Ratkoceri ka theksuar se sulmi ndaj Kupinës “nga asamblistë të LDK-së” ka qenë tinëzar.
“Sulmi tinëzar me shishe qelqi në kokë që iu bë kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, nga asamblistë të LDK-së, të shtyrë nga gjuha dhe sjellja arrogante e Përparim Ramës, është turpi më i madh i ndodhur ndonjëherë në Komunën e Prishtinës. Kryesuesi është figura që garanton funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, ndaj fakti që ai u bë shënjestër dhune brenda këtij institucioni e bën edhe më skandaloze ngjarjen”, ka shkruar ai në Facebook.

E kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka kualifikuar rastin të papranueshëm.

“Dhuna që ka ndodhur sot para objektit të Komunës së Prishtinës është plotësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Institucionet publike duhet të mbesin hapësira të dialogut e bashkëpunimit, jo të përplasjeve. Ne presim që organet e drejtësisë ta trajtojnë rastin me përgjegjësi”, ka theksuar Rama.

Kuvendi Komunal i Prishtinës në seancën e së mërkurës e ka pasur një pikë të rendit të ditës - buxhetin për vitin 2026. Por, në mungesë kuorumi ajo ka dështuar. Kryetari Rama e ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit Komunal për ta kritikuar opozitën dhe për të bërë fushatë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.