Ka ngjallur reagime të forta kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar drejtuar Gjykatës Speciale për t’i dënuar ish-udhëheqësit e UÇK-së, me nga 45 vjet secilin. Presidentja Vjosa Osmani tha se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që ka kryer Serbia kundër popullit të Kosovës. Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e e Serbisë, sipas saj e minon besimin në drejtësi. Ndaj propozimit të ZPS-së kanë reaguar partitë politike dhe përfaqësues të OVL të UÇK-së
Propozimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për t’i dënuar ish-udhëheqësit e UÇK-së, me nga 45 vjet burgim për secilin, ka ngjallur reagime të shumta të publik.
Presidentja Vjosa Osmani në një reagim ka thënë se gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu kundër popullit të Kosovës ndër shekuj.
“Çdo përpjekje që tenton të barazojë luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e agresorit gjenocidal serb e minon besimin në drejtësi dhe e dëmton rëndë paqen afatgjatë. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre”, ka thënë ajo.
Kritika ndaj propozimit të ZPS-së shprehën edhe partitë politike.
Në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se kërkesa e Prokurorisë, është politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës dhe jo akt për kërkim drejtësie.
“Çdo përpjekje për ta kriminalizuar këtë rezistencë nuk përfaqëson drejtësi, por një akt politik të rrezikshëm që synon rishkrimin e historisë, barazimin e agresorit me viktimën dhe ndëshkimin e së drejtës për liri”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në reagim thuhet se kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë.
E PDK-ja ka thënë se është vërtetuar ajo e cila është thënë prej fillimit - me këtë qasje prokuroria po e synon barazimin e viktimës me agresorin duke u përpjekur ta ndërtojë një narrativë të rreme.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, të çlirimit dhe të shtetformimit të Kosovës. Kjo qasje e Prokurorisë synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri. Ajo u konkretizua edhe sot përmes kërkesës për dënime absurde që reflektojnë vetëm ndëshkim politik dhe selektiv. Gjithashtu, përpjekja për ta ndërlidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me një pretendim kriminal është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Tutje në reagim të PDK-së thuhet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor që u lind nga nevoja për rezistencë, si përgjigje ndaj dhunës së shtetit serb.
Propozimi i ZPS-së për t’i dënuar ish-udhëheqësit e UÇK-së me nga 45 vjet burgim ngjalli reagime edhe në OVL të UÇK-së. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati tha se ky vendim e kënaq Serbinë dhe ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.
Ndërsa, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burg prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës.
Në një status në Facebook ka shkruar se kjo nuk ka të bëjë me përpjekje për drejtësi. Sipas saj, kjo është një orvatje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare.
“Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte, dëbime masive të popullsisë etj. Këto krime janë të regjistruara dhe dëshmuara nga bota mbarë. E megjithatë Serbia nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze. Kriminelët e saj u ricikluan në pushtet, u amnistuan e u privilegjuan”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka thënë se në vend të gjykimit të agresorit, u votua një mekanizëm që sot mundohet ta kriminalizojë rezistencën e popullit.
Propozimi i ZPS-së ngjalli reagime edhe në OVL-UÇK. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati tha se ky vendim e kënaq Serbinë dhe ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.
“Kjo me këtë fjalë i ka kënaqur gjithë ata që kanë qenë kundër Kosovës, kundër çlirimit të vendit dhe i ka kënaqur vet politikanët serb dhe shtetin e Serbisë. Do të thotë Serbia është sot e kënaqur me prokurorët që kanë punuar kundër shtetit të Kosovës dhe vet UÇK-së”, ka thënë Gucati.
E kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se kërkesa e Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një akt i turpshëm i shtrembërimi të së vërtetës dhe një sulm politik ndaj luftës çlirimtare.
“Të kërkosh dënime prej 45 vjetësh për krerët e UÇK-së, do të thotë të kriminalizosh rezistencën ndaj okupimit dhe të legjitimosh, krimet e agresorit. Ky proces nuk synon të zbardhë përgjegjësi individuale, por të godasë vetë aktin e çlirimit dhe ta paraqesë luftën për liri si vepër penale. Këtu nuk po gjykohen individë, por po sulmohet një komb. Po tentohet të përmbyset historia duke e zhvendosur fajin nga agresori te viktima, nga shteti që kreu krime te ata që u ngritën kundër tyre. Kjo është padrejtësi e institucionalizuar dhe revizionizëm politik”, ka thënë Rama.
Edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë për dënimin me nga 45 vjet burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo kërkesë është thjesht politike, me synimin e rrezikshëm për të barazuar luftën çlirimtare të UÇK-së me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviqit, një barazim i papranueshëm historikisht, moralisht dhe juridikisht. Ne presim dhe besojmë se në fund do të triumfojë e drejta dhe se vendimi i panelit gjykues do të jetë i drejtë, i paanshëm dhe meritor, duke sjellë liri për çlirimtarët dhe duke ruajtur dinjitetin e luftës për liri”, ka thënë ai.
Ndërsa, ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko ka thënë se procesi gjyqësor në Hagë po e deformon atë që ka ndodhur në luftën e Kosovës.
Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim për katër të akuzuarit e rastit më të madh të Dhomave të Specializuara. West i kërkoi Speciales po ashtu që ta marrë parasysh peshën e veprimeve të secilit të akuzuar.
“Kërkojmë dënimin e personave konkretë, pra nuk kërkojmë një dënim për Shtabin e Përgjithshëm, por për persona konkretë. ZPS-ja kërkon aktgjykim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës me dënim unik prej 45 vjetësh duke u mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë krime të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të jenë ende shumë të rënda”, tha West.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje dhe për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.