LAJMET E MBRËMJES

KQZ-ja refuzon akreditimin e shtatë OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve, dyshohen për falsifikim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka akredituar shtatë organizata joqeveritare për vëzhgim të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, nën dyshim për parregullsi dhe falsifikim. Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, Besnik Buzhala tha se për tri organizata që dyshohen për falsifikim do t’i drejtohen Prokurorisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar për mosakreditimin e shtatë organizatave joqeveritare dhe vëzhguesve të tyre, nën dyshimet për veprimtarinë e tyre dhe falsifikim.

Vëzhguesit e Qendrës Rinore Shtime, Centre for Social Inclusion Gracanica (CSIG), NVO PBG, Shoqata Qytetare RESTART, Udruženje Žena Povratnica Naš Dom, Fuqia e Zërit – Power of Voice dhe Qendra Kulturore Orfeu, nuk do të jenë pjesë e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

“Për tri organizata të tjera që dyshojmë se ka falsifikim të statutit, Zyra do ta njoftojë Prokurorinë e Kosovës me u marrë me këto raste, pasi ne shohim që kur vijmë te këto organizata statuti është i njëjtës datë dhe kur vijmë te qëllimi dhe fushë-veprimi ajo faqe është ndërruar”, ka thënë Besnik Buzhala – Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar.

E anëtari i KQZ-së, Sami Kurtishi, ngriti pikëpyetjen se a paguhen vëzhguesit dhe prejardhja e mjeteve.

“Ndoshta pak është e rregulluar që ata duhet të paguhen me një shumë simbolike është mirë të shihet edhe prejardhja e mjeteve, 259 vëzhgues nëse ka pagese simbolike mbërrin një shumë të caktuar, nëse i paguajnë prej dikujt duhet të vijnë ato mjete”, ka thënë ai.

KQZ-ja në mbledhjen e saj të së hënës mori vendim për miratimin e procedurës për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për Zgjedhjet Lokale 2025.

Ky dokument përcakton në mënyrë të detajuar të gjitha aktivitetet dhe procedurat që zhvillohen në QNR.

Në QNR bëhet numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, rinumërimi eventual i vendvotimeve me vendim të KQZ-së, PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, si dhe tabulimi dhe publikimi i rezultateve përfundimtare.