Kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidenten së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian, Kryeministri i është përgjigjur pozitivisht, i është përgjigjur pozitivisht kryeministri Albin Kurti. Ai e ka konsideruar si bazë të mirë për diskutime, propozimin e ri evropian. E kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se dokumenti është në përputhje me Kushtetutën.
Kryeministri Albin Kurti është pajtuar që plani i ri, të cilin pesëshja euro-amerikane e ka prezantuar të shtunën në Kosovë e Serbi, të jetë bazë për diskutime rreth zbatimit të marrëveshjes bazë mes dy shteteve.
Në Qeveri, përmes një përgjigjeje me shkrim, konfirmuan edhe pranimin e një draft për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe treguan se Kryeministri i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian.
“Takimi do të jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali”, ka thënë Qeveria e Kosovës për Kohën.
Në Qeveri nuk kanë treguar hollësi nëse plani i ri përfshin sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, ashtu siç në vazhdimësi është kërkuar nga Kosova.
E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se e ka parë dokumentin dhe se ai është në përputhje me Kushtetutën.
“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, po është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë, por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Do me thënë kjo mund të jetë, bile-bile, nëse ndonjëherë ndodh një draft i asociacionit ai duhet të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse jo nuk propozohet fare”, ka thënë Konjufca.
Paraprakisht, kryeministri Kurti në një intervistë për “Financial Times” ka thënë se nuk do të ketë rikthim në dialog pa u sanksionuar Serbia për përgjegjësinë që ka në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Nëse nuk ka dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog. Do të përfundojmë në menaxhim të dështuar të krizave dhe do të harrojmë fare për normalizim”, ka thënë Kurti.
Të njëjtin qëndrim e ka shprehur edhe kryeparlamentari Konjufca.
“Ne ishim në tavolinë me 14 shtator, 10 ditë mbrapa u sulmuan. Nuk po e di këtu negociata fare nuk po funksionojnë, ky proces i Brukselit. Kjo është arsyeja pse kemi lypë të hapet një kapitull i ri”, ka thënë Konjufca.
Gjatë vizitës së pesëshes euro-amerikane në Prishtinë dhe Beograd, emisari evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë se sulmi në Banjskë nuk e ka ndryshuar faktin që palët kanë marrë zotime nëpërmjet marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, e të cilat ka kërkuar të zbatohen.