Arbëri

Kurti: Vitin e ardhshëm mund ta shkruaj një draft modern evropian të statutit të Asociacionit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ofruar mundësinë që vitin e ardhshëm ai të shkruajë një draft modern evropian të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

Duke iu përgjigjur të dërguarit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili së fundi ka deklaruar se draftstatuti i Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti ka thënë se ai mund ta shkruajë një draftstatut në bashkëpunim me ministrat Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi.

Kurti ka thënë se beson që Brukseli e Lajçaku do të merren më shumë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili siç ka thënë ai, i vodhi zgjedhjet në Serbi, në vend se t’i bëjnë presion publik Kosovës “me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, thuhet në pikëne 5 të statusit të Kurtit në Facebook, në të cilin ai ka renditur gjithsej 7 pika.

Në pikën e parë të stsutsit të titulluar “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, Kurti ka shkuar se “prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim”.

Në pikën e dytë ai ka kërkuar që të publikohen konkluzionet e hetimeve për sulmin në Bansjkë.

“Konkluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në pikën e tretë ai ka kërkuar nga BE-ja dhe SHBA-ja që t’i vendos sanksione Serbisë. “Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”, ka shkruar Kurti.

Në të katërtën ka kërkuar heqje të masave ndaj Kosovës.

“Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Në pikën e gjashtë ka vlerësuar se “Marrëveshja Bazike (me aneksin e zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”.

Ndërkohë që në pikën e shtatë ai ka thënë se beson që “Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”.

Statusi i plotë i Kurtit:

Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024

1) Prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.

2) Konkluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë. Millan Radojçiq dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

3) Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit).

4) Kërkesa ime është që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe ShBA-ve, dhe vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO. Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës.

5) Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal).

6) Marrëveshja Bazike (me Aneksin e Zbatimit) për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024.

7) Besoj që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak do të merren shumë më tepër me Presidentin e Serbisë Vuçiq që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e Dodikut, Mandiqit e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike.