Për mbështetje të Kosovës në aspiratat e saj për anëtarësim në NATO është zotuar ministri malazias i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq, gjatë vizitës në Kosovë. Me homologun e tij, Armend Mehaj, ai ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për rritjen e kapaciteteve për emergjenca dhe për shkëmbimin e përvoja në ngritjen profesionale të kuadrove
Mali i Zi do ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, ka premtuar ministri malazias i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq, gjatë qëndrimit në Prishtinë. Ai është pritur të premten me ceremoni shtetërore nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Të dy ministrat nënshkruan edhe marrëveshjen për emergjenca dhe kuadro.
“Bashkëpunimi do të shtrihet në shkëmbimin e përvojave profesionale sa u përket kuadrove tona akademike, specialistike e deri tek angazhimi në mbështetje reciproke me kapacitete operacionale, në rast të emergjencave, që është e domosdoshme për të dyja shtetet, por edhe në rajon. Thellimi i vazhdimit të këtij bashkëpunimi do të lehtësojë edhe efektivitetin, por edhe kërcënimet, që janë njëjta për të dyja shtetet, por edhe rajonin dhe rreziqet që prekin mjedisin e sigurisë rajonale”, ka thënë Mehaj gjatë prezantimit të memorandumit.
Ministri Konjeviq ka thënë se nëpërmjet kësaj vizite po çon mesazh në Mal të Zi për miqësinë me Kosovën dhe për vizionin e përbashkët si vende që duan të jenë edhe pjesë e NATO-s edhe BE-së.
“Ne besojmë se nëpërmjet këtij lloji të bashkëpunimit rajonal do të vendoset një bashkëpunim shtesë, do të thosha, politik dhe i sigurisë dhe të dërgohet një mesazh diku nga Mali i Zi, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, se cili është thelbi dhe çfarë do të thosha është një vizion i përbashkët, që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian... dhe vizionin e përbashkët si vende që aspirojnë anëtarësim në BE”, ka thënë Konjeviq.
Mali i Zi është bërë pjesë e NATO-s në vitin 2017.