LAJMET E MBRËMJES

Kosova dënon të akuzuarin e parë për spiunazh - 5 vjet burgim për Aleksandar Vlajiqin

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të enjten me pesë vjet burgim për spiunazh të akuzuarin Aleksandar Vlajiq. Ish-polici i Kosovës ka pranuar se i ka çuar informata BIA-s së Serbisë dhe ka pranuar fajësinë në një marrëveshje me prokurorinë. Ndaj Vlajiqit është duke u zhvilluar edhe një tjetër proces gjyqësor, në kuadër të të cilit ai është i akuzuar për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut

Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten e ka shqiptuar dënimin e parë për spiunazh qëkur Kosova ka shpallur Pavarësinë. 

Gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka konstatuar se marrëveshja e lidhur mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Aleksandar Vlajiq është e ligjshme dhe e ka shpallur fajtor të pandehurin, duke e dënuar me pesë vjet burgim për spiunazh dhe me 1.000 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Teksa i ka lexuar  akuzat, të cilat i ka pranuar Vlajiqi në kuadër të marrëveshjes me Prokurorinë, prokurori special, Bekim Kodraliu, ka thënë se i pandehuri, njëherësh ish-polic i Kosovës, ia ka zbuluar identitetin një të punësuari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka dërguar informata te shërbimet e Serbisë e që paraqesin rrezik për sigurinë shtetërore.

“Me dashje dhe në mënyrë të qëllimshme ka mbledhur dhe ka incizuar e transmetuar të dhëna (dokumente dhe materiale) që e cenojnë rendin juridik, kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, të cilat pastaj ia ka transmetuar nëpërmjet komunikimeve elektronike dhe takimeve fizike zyrtarit të lartë të BIA-s, Ratko Gajtanoviq – përgjegjës i qendrës së BIA-s për regjionin e Novi-Pazarit në atë mënyrë që fillimisht ka filmuar dhe incizuar fshehurazi lëvizjet dhe automjetet e Policisë së Kosovës dhe të prezencës ndërkombëtare në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Kodraliu. 

Marrëveshja për pranimin e fajësisë ka paraparë dënim të rekomanduar nga katër vjet e gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim. 

Lubomir Pantoviq, avokat i Vlajiqit, ka thënë se klienti i tij e ka pranuar marrëveshjen pa presion.

“Ai e ka pranuar fajësinë me vullnet të lirë dhe me konsultime e biseda të mjaftueshme me mbrojtësin dhe askush nuk ia ka imponuar e pa çfarëdo lloj presioni për ta pranuar fajësinë, gjë që e konfirmoi pak më herët”, është shprehur Pantoviq. 

Pas shpalljes së aktgjykimit prokurori Kodraliu është shprehur falënderues për punën e Policisë dhe të AKI-së në këtë rast. Ai është zotuar se Specialja do t’i trajtojë me seriozitet rastet e spiunazhit.

“Vepra penale e spinuazhit, siç e dini, e cenon rendin juridik kushtetues dhe në rastin konkret janë rrezikuar edhe qytetarët e Republikës së Kosovës dhe zyrtarët shtetërorë. E nga këtu e potencojmë faktin se Prokurori i Shtetit, respektivisht Prokuroria Speciale është e përkushtuar që t’i trajtojë me ndjeshmëri të lartë dhe profesionalizëm të gjitha rastet e tilla”, ka thënë ai. 

Lidhur me rastin për spiunazh, Vlajiqi mund të ankohet vetëm në Gjykatën e Apelit për shkallën e dënimit.

Pjesëtari i BIA-s së Serbisë është duke u gjykuar në një proces tjetër edhe për sulmin e vitit 2022 në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë të Veriut.

Sipas aktakuzës, e cila është ngritur më 22 maj, Vllajiqi ka vepruar si bashkëpunëtor i BIA-s, duke mbledhur informacione që i kërcënojnë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Në aktakuzë përmendet gjithashtu se ai ka regjistruar fshehurazi lëvizjet e automjeteve të Policisë së Kosovës dhe praninë e bashkësisë ndërkombëtare në veri dhe ka mbledhur të dhëna për anëtarët e komunitetit serb të dyshuar si bashkëpunëtorë të institucioneve të sigurisë në Kosovë. Vllajiq, i cili është arrestuar më 26 qershor 2024, ka qenë anëtar i Policisë së Kosovës.

Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitet sekret i mbledhjes, i transmetimit apo i shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër. Sipas Kodit Penal, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse ndonjë i dyshuar shpallet fajtor.