(Përditësuar: 11:25) - Me pesë vjet burgim është dënuar të enjten Aleksander Vlajiq, për veprën penale “spiunazh”.
Ndërsa, për veprën penale “armëmbajtje pa leje” u dënua me 1000 euro gjobë.
Vlajiqit iu caktua dënimi pasi e kishte pranuar fajësinë në marrëveshje me Prokurorinë Speciale.
Ai është i dënuari i parë për spiunazh qëkur Kosova e ka shpallur pavarësinë.
Bekim Kodraliu, prokuror i Prokurorisë Speciale, ka thënë se për shkak të veprës “spiunazhi” është rrezikuar rendi kushtetues dhe juridik i Kosovës dhe janë rrezikuar qytetarët e vendit.
“Janë tri çështje që duhet të jeni të njoftuar, e para është që sot në seancën gjyqësore është konfirmuar pranimi i marrëveshjes për pranimin e fajësisë për dy veprat penale nga i pandehuri ‘Spiunazhi’ dhe ‘Armëmbajtja pa leje’. Kjo marrëveshje është arritur në bazë të bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës, me agjencinë kosovare për Inteligjencë dhe institucione të tjera të rëndësishme. Vepra penale e spiunazhit cenon rendin juridik kushtetues, në rastin konkret ka rrezikuar edhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Agjenti i BIA-s pranon fajësinë për spiunazh
Aleksandar Vlajiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale “spiunazh” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në seancën e së enjtes u tha se Vlajiq, agjent i BIA-s serbe, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.
Ai ishte arrestuar në qershorin e 2024-s, me dyshimin se kishte mbledhur dhe dërguar informacione te Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë.
Prokurori special Bekim Kodaliu dhe avokati i të pandehurit, Lubomir Pantoviq, thanë se marrëveshja për pranimin e fajësisë i plotëson të gjitha kushtet ligjore, se i pandehuri e ka pranuar fajin me vullnet të lirë dhe pa presion dhe i kërkuan gjykatës ta miratojë marrëveshjen.
Vlajiq e përkrahi fjalën e mbrojtësit të tij.
Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, e miratoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë si të ligjshme.
Prokurori Bekim Kodaliu tha se dënimi i rekomanduar nga prokuroria është katër vjet e gjashtë muaj burgim deri në pesë vjet burgim efektiv.
Avokati i të pandehurit, Lubomir Pantoviq, kërkoi dënim me katër vjet e gjashtë muaj burg meqë tha se ka rrethana të shumta lehtësuese, fakti që nuk është gjykuar më parë, ai ka pasur bashkëpunim të plotë me prokurorin special lidhur me këtë rast dhe marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur në fazë të hershme, në fazën e hetimit.
Pantoviq tha po ashtu se i pandehuri Vlajiq e ka dëshmuar se është penduar dhe ka premtuar se nuk do ta përsërisë veprën penale.
Vlajiq është i akuzuar edhe për sulmin terrorist të nëntorit të 2022-s në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut.
Sipas Prokurorisë, Vlajiq kishte krijuar një rrjet të të punësuarve të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së organizatave ndërkombëtare në Kosovë që, sipas aktakuzës, ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë brenda territorit të shtetit.
Ai u përgjigj me “po” në gjuhën serbe kur u pyet nga gjyqtari nëse i kupton pasojat e pranimit të fajësisë.
VIDEO: