LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Sulmi në Banjskë, gozhda e fundit në arkivolin e dialogut të Brukselit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk pret që Kosova të ndryshojë masën e sigurisë ndaj produkteve serbe, me gjithë paralajmërimet se mund të lihet jashtë Procesit të Berlinit. Në një konferencë për media të hënën, Konjufca foli edhe për bisedimet me Serbinë e ndikimin që sulmi terrorist i vitit të shkuar në Banjskë pati në procesin e dialogut

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka hyrë në qorrsokak, nga i cili nuk ka shumë rrugëdalje, tha të hënën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Duke folur për paralajmërimet në lidhje me një takim të radhës në Bruksel, Konjufca u shpreh se sulmi në Banjskë ka shkatërruar mirëbesimin që kërkohet në një proces bisedimesh.

“Unë mendoj që ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit në arkivolin e dialogut të Brukselit, dialogut që kishte filluar më 2011. Kështu që i takon bashkësisë ndërkombëtarë që të jetë shumë më e përcaktuar se çfarë po dëshiron. Nëse dëshiron palë të barabarta në dialog si dy shtete, nëse dëshiron dhe ende mendon që principi  imkarrëveshjes së Ohrit me funksionu palët si shtete sovrane të Kombeve të Bashkuara, nëse bashkësia ndërkombëtare e ndan mendjen për me ecë në këtë rrugë, Kosova është e gatshme”, tha Konjufca. 

Konjufca ka komentuar edhe paralajmërimet e Gjermanisë se Kosova mund të mbetet jashtë Procesit të Berlinit.

Shtoi se procesi nuk duhet të reduktohet vetëm me CEFTA-n dhe se masa e sigurisë ndaj produkteve serbe nuk do të ndryshojë.

“Ato që nuk mund të arrihen dhe që e tha z. Sarrazin në vizitën e tij në Kosovës është faktikisht njëfarë modusi i ledhatimit të Serbisë. Nëse doni të keni rajon funksional  ene e dijmë se cila është rruga, është barazia e Kosovës me Serbinë si shtete të pavarura që marrin pjesë në këto marrëveshje rajonale. Nëse na diskriminohemi dhe ftohemi të merremi pjesë në bazë të pabarabarta me Serbinë Kosova nuk e pranon dhe ka me luftu për interesant e veta deri në fund që me u përfaqësu barabartë”, tha Konjufca.  

Paralajmërimi për Kosovën në rast se nuk e heq masën e sigurisë ndaj produkteve serbe u bë nga emisari i Gjermanisë, Manuel Sarrazin, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, javën e shkuar.