LAJMET E MBRËMJES

Konjufca mungon në seancë, Hamiti e qorton gjykatën

Mosparaqitja e kryeparlamentarit Glauk Konjufca ka bërë që për të katërtën herë gjatë vitit të dështojnë seancat e gjyqit ku ai akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Në cilësinë e dëshmitarit, në sallë është paraqitur vetëm ish-deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, e i cili pati kritika për zgjatjen e këtij procesi

Ka dështuar seanca gjyqësore në të cilën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, akuzohet se në gushtin e vitit 2016 ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e mbledhjes së Kryesisë, periudhë kjo kur ai ishte vetëm deputet e partia e tij LVV ishte opozitë.

Avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, ka sqaruar mungesën e klientit të saj. Ka thënë se Konjufca ka harruar datën e seancës.

“Mandej kontaktova me zyrën e kryetarit dhe më njoftuan që kryetarit i ka ikur kjo datë për shkak se nuk ka pasur ftesë të rregullt dhe nuk e ka futur në agjendë”, ka thënë avokatja Zeqiri.

Nga katër ish-deputetët që ishte paraparë të dëshmonin në seancë, ftesës i është përgjigjur vetëm Sabri Hamiti. Ish-deputeti i LDK-së ka shprehur kritika për dështimin e seancës, por edhe për zgjatjen e procesit gjyqësor.

“Unë dua të flas sot. Nuk e kam ndërmend të endem sallave. Qe 7 vjet është ky rast”, ka thënë Hamiti.

Atij i është përgjigjur gjyqtarja Edita Çanta.

“Nuk janë plotësuar kushtet ligjore sot, pasi që pa të pandehurin nuk janë të gjithë prezentë dhe nuk mund ta mbajmë seancën”, ka theksuar ajo.

E Hamiti i ka treguar gjyqtares se as ai nuk ka marrë ftesë.

“Çfarë kushtesh ligjore janë që sot as unë nuk kam marrë ftesë më të vërtetë... Këta s’janë të zot”, ka thënë Hamiti derisa po dilte nga salla e gjyqit.

Gjatë vitit 2023 në këtë rast kanë dështuar katër seanca, dy për shkak se nuk mori pjesë Konjufca, në një tjetër nuk kishte angazhuar avokat, ndërsa një seancë ka dështuar, sepse nuk kishin ardhur dëshmitarët.

Kryetari i Kuvendi akuzohet se gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 10 gusht 2016, ku merrnin pjesë ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Slobodan Petroviq dhe deputeti Pal Lekaj, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ku gjatë mbledhjes ka hedhur gazin lotsjellës.

Konjufca fillimisht akuzohej për dy vepra penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave”, mirëpo akuza e dytë është parashkruar.

Në seancën e kaluar të mbajtur në tetor kanë dëshmuar ish-deputetët Adem Grabovci e Ismet Beqiri.