Në shqyrtimin kryesor në rastin ku kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, akuzohet për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm, që ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës, tre dëshmitarë kanë deklaruar të enjten se nuk e kanë parë ta ketë hedhur ai. Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon kryeparlamentarin se këtë vepër penale e ka kryer në një mbledhje të Kryesisë më 2016, në kohën kur ishte deputet opozitar
Në kohën kur parashihej të niste seanca plenare e Kuvendit, kryeparlamentari Glauk Konjufca u paraqit në seancë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë për t’u përballur me akuzat për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Prokuroria Themelore pretendon se Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë, të mbajtur më 10 gusht 2016.
Dëshmitari Sabri Hamiti, ish-nënkryetar i Kuvendit, nuk ishte i sigurt se kush e ka hedhur atë. Dëshmitari Hamiti është shprehur se gazin lotsjellës e hodhi Glauk Konjufca ose Aida Dërguti, ish-deputete.
“Përfaqësuesit e Vetëvendosjes. I kanë pasur dy përfaqësues, Aida dhe Glauk Konjufca. E ka hedhur njëri prej tyre”, ka thënë Hamiti. Sipas tij, gazi lotsjellës është hedhur nën tavolinën e Kryesisë.
Prokurori Besart Halimi, teksa i bëri pyetje Hamitit, iu referua një procesverbali që nuk është pjesë e aktakuzës, e kjo u kundërshtua prej avokates së Konjufcës, Arbnora Zeqiri.
“Jam duke iu referuar procesverbalit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të datës 16 gusht 2016, i cili është i publikuar në uebfaqen e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në këtë kanë qasje të gjithë personat. Këtë procesverbal do ta propozoj për provë materiale”, ka thënë prokurori Halimi.
Gjyqtarja Edita Çanta e lejoi parashtrimin e pyetjeve duke u bazuar në këtë procesverbal, por avokatja paraqiti vërejte, meqë tha se është e paligjshme.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 115 parasheh mjaft mirë që prokurori deri në cilën fazë të hetimeve mund të paraqesë prova të reja apo në anën tjetër prokurori i shtetit duhet të pranojë dokumente dhe prova materiale edhe pas ndërprerjes dhe përfundimit të hetimit nëse kërkesa për prova është bërë para ndërprerjes ose përfundimit të hetimit apo prova është e sapo zbuluar. Ndërsa prokurori nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për ta siguruar këtë provë”, tha mbrojtësja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, avokate sipas detyrës zyrtare.
Të enjten kanë dhënë dëshmi edhe dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria e edhe shefat e grupeve parlamentare, Valdete Bajrami e Nismës dhe Slobodan Petroviq i Listës Serbe.
Ata thanë se ishin prezentë në mbledhjen që u ndërprere sherri i gazit lotsjellës, ndërsa u përgjigjën se nuk e panë se kush e hodhi gazin.
“Nuk mbaj mend, nuk më kujtohet”, është shprehur Bajrami.
“Më kujtohet se ka pasur gaz lotsjellës, por kush e ka hedhur nuk e di”, ka shtuar Petroviq.
Gjyqtarja Edita Çanta e ka aprovuar kërkesën e prokurorit Halimi për heqje dorë prej dëgjimit të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, meqenëse është jashtë vendit e duke u gjykuar në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Konjufca i ka kërkuar Gjykatës që të mos bie ndesh data e shqyrtimit gjyqësor me seancë të Kuvendit. Kërkesa e tij është aprovuar dhe data e radhës është caktuar për 21 shkurt.
Çanta ka aprovuar, po ashtu, kërkesën e Konjfucës për ta ndërprerë seancën në mes të ditës shkaku i angazhimeve në atë plenare të Kuvendit. Për këtë, dëshmia e dëshmitarit Pal Lekaj është shtyrë për seancën e radhës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në aktakuzën e vitit 2017, kryetarin aktual të Kuvendit e akuzoi edhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, por se ajo u vjetrua më 2022.
Në vitin 2016, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar votimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës me hedhje të gazit lotsjellës. Përgjegjësinë për hedhje të gazit në emër të subjektit politik e ka marrë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës.
Në kohën kur ishte deputet opozitar, Kurti dhe bashkëpartiakët e kundërshtuan Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe atë për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.
“Kemi provuar me pipa vërshëllyes, me vezë, edhe më ujë e kemi provuar, edhe me gaz lotsjellës që të mos lejojmë kurrsesi ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Kurti në shqyrtimin gjyqësor më 20 dhjetor 2017.