LAJMET E MBRËMJES

Joseph Borrell përmend takimet e “pasuksesshme” me Kurtin e Vuçiqin

Shefi i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Joseph Borrell, i ka përshkruar si të pasuksesshme takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në margjinat e Forumit të Sigurisë në Munih. Sipas tij, temë diskutimi ka qenë de-përshkallëzimi i tensioneve mes dy vendeve, të cilat u rritën pas hyrjes në fuqi të rregullores së BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb në veri të vendit

Mungesa e dakordimit për shtensionimin e situatës në raportet mes Kosovës e Serbisë, ka qenë ndër çështjet që shefi i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Joseph Borrell, e ka përmendur në deklaratën e tij, pas Konferencës së Sigurisë në Munih.

Sipas tij, diskutimet për depërshkallëzimin e situatës ishin të pasuksesshme.

“Gjatë qëndrimit tim në Munih, kemi diskutuar për çështjet më të ngutshme globale me Antonio Guterres, sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Gustavo Petro, Presidentin e Kolumbisë, Wang Yi, ministrin e Jashtëm të Kinës, Subrahmanyam Shankar, Ministër i Jashtëm i Indisë, Hakan Fidam, ministër i Jashtëm i Turqisë dhe Chris Van Hollen, senator amerikan. Me presidentin serb, Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, kam diskutuar, në takime të ndara, se si t’i depërshkallëzojmë tensionet mes dy vendeve, pa sukses fatkeqësisht”, ka theksuar ai.

Në zyrën e tij nuk kanë treguar për kërkesat që Borrelli ka pasur ndaj palëve, as nëse do të ndryshojnë strategji për të arritur sukses në dialog.

Në margjinat e njërit prej forumeve më të mëdha të sigurisë në Evropë, që u mbajt javën e shkuar, Ballkani Perëndimor ishte nën hijen e zhvillimeve në pjesë të ndryshme të botës.

Ato u përmendën edhe në deklaratën e Borrellit, i cili vuri theksin te rreziku rus dhe domosdoshmëria për forcimin e kapaciteteve të NATO-s.

“Duhet të përgatitemi veçanërisht për një periudhë të zgjatur tensionesh me Rusinë, e cila mund të tundohet të përshkallëzojë provokimet e saj politike dhe ushtarake kundër vendeve të NATO-s në muajt e ardhshëm”, është shprehur ai.

Në takimet që kryeministri Albin Kurti pati në margjinat e Samitit, tema kryesore ishte rregullorja e Bankës Qendrore, që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Për këtë veprim, qeveria po vazhdon të kritikohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Siguria e Evropës pas pushtimit rus mbi Ukrainën dhe situata në Lindjen e Mesme e kanë dominuar edicionin e 60-të Forumit të Sigurisë në Munih, i cili u mbajt nga 16 deri më 19 shkurt.