Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takime me liderë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në margjinat e Forumit të Sigurisë në Munih, ku temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit rreth Rregullores së re të BQK-së për dinarin. Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti i ka njoftuar ata për periudhën tranzitore që në fokus ka informimin dhe planin 10-pikësh të Bankës Qendrore për zbatim të lehtësuar të rregullores. E krahas kësaj, Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiq, në Munih pritet që t’i takojë shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell
Rregullorja e re e Bankës Qendrore, që e njeh veç euron si valutë zyrtare në Kosovë, ka qenë temë diskutimi në takimet që kryeministri, Albin Kurti, dhe vartës të tij i zhvilluan në margjinat e Forumit të Sigurisë në Munih.
Rregullorja që nxiti kritikat e Perëndimit ndaj Qeverisë për shkak të mungesës së një periudhe tranzitore është trajtuar në takimin që Kurti e pati me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis.
“Zhvillimi ekonomik, qeverisja e mirë, bashkëpunimi në rrafshin ekonomik dhe tregtar, mundësitë për investime në Kosovë, procesi i dialogut dhe Rregullorja e Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, ishin temat kryesore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Për periudhën tranzitore që në fokus ka informimin dhe planin 10-pikësh të Bankës Qendrore për zbatim të lehtësuar, Kurti tha që e ka njoftuar edhe deputeten finlandeze, Tytti Tuppurainen.
Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, Kurti gjithashtu zhvilloi takim edhe me emisarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, lordin Stuart Peach, me të cilin folën për çështjen e sigurisë.
E shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet që në Munih t’i takojë ndaras Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut nuk është në agjendë.
“Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por, nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, u shpreh Borrelli.
BE-ja ka kërkuar që për Rregulloren e BQK-së Kosova dhe Serbia të diskutojnë në kuadër të dialogut të Brukselit.
Siguria e Evropës pas pushtimit rus mbi Ukrainën dhe situata në Lindjen e Mesme do ta dominojnë edicionin e sivjetmë të Forumit gjerman. Aty po marrin pjesë edhe zyrtarë të administratës amerikane që folën për nevojën e ndëshkimit të agresorëve dhe mbrojtjen e aleatëve të NATO-s.
“Historia na ofron një mësim. Nëse ne qëndrojmë bashkë derisa një agresor pushton fqinjin e tij pa u ndëshkuar, ata do të vazhdojnë dhe në rastin e Putinit do të thotë që e gjithë Evropa do të kërcënohej. Nëse nuk arrijmë të imponojmë pasoja mbizotëruese mbi Rusinë, autoritarë të tjerë anembanë globit do të inkurajoheshin. Amerika duhet të qëndrojë fortë për demokracinë. Ne duhet të qëndrojmë në mbrojtje të rregullave dhe normave ndërkombëtare dhe duhet të jemi me aleatët tanë”, ka thënë zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris.
Konferenca e 60-të e Sigurisë në Munih mbahet deri më 18 shkurt dhe objektiv kryesor e ka kontributin në zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe promovimin e dialogut.