LAJMET E MBRËMJES

Ish-deputeti Haxhi Shala dyshohet për pengim të drejtësisë

Pengimi i drejtësisë është dyshimi mbi të cilin është intervistuar ish-deputeti i AAK-së Haxhi Shala nga Specialja. Intervistimi i tij u bë në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë. Lidhur me veprimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë reaguar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala, është intervistuar të hënën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Shala, nga fshati Banjë i Malishevës është sjellë në zyrën e misionit të EULEX-it në Fushë Kosovë orët e hershme të mëngjesit.

Vëllai i Shalës, i njohur edhe si “Komandat Topi” ka thënë se ai është marrë për intervistim në cilësinë e të dyshuarit për pengim të drejtësisë.

“Forca të shumta të EULEX-it ka pas, por nuk kanë marrë asgjë, nuk është bastise hale kurgjo... Ka zgjatë 30 minuta. Nuk është lejuar që të komunikojmë më ta hiq, ia kanë marrë me telefon me krejt. Kom fol me vëlla edhe djalë të vëllait, ai për momentin është arrestuar, po flitet që kanë me ekstradu”, ka theksuar Avni Shala.

Se Shala pritet të ekstradohet në Hagë e kanë thënë edhe në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin Haxhi Shala, bëhen për t'i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme të tyre”, ka shkruar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

Veprimet e tyre nuk kanë pranuar t`i komentojnë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke kryer operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, ka thënë shkurtimisht zëdhënësi Christopher Bennett.