“Gratë, Paqja dhe Siguria”

Hapet Forumi ndërkombëtar, theksohet rëndësia e përmirësimit të pozitës së gruas në shoqëri

Është hapur të hënën Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në panele të ndryshme diskutimi, u shtrua nevoja për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, në sigurimin e paqes dhe për adresimin e krimeve të kryera ndaj tyre.

Përmirësimi i pozitës së grave në shoqëri dhe përfshirja e tyre më e madhe në ndërtimin e paqes, ishte në fokus të diskutimeve, të hënën, në ditën e parë të forumit ndërkombëtar “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

Punimet, forumi i nisi me pritjen e liderëve nga nikoqirja, presidentja Vjosa Osmani.
Mes liderëve, ajo priti presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, atë të Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. 

Pos hapjes me vonesë të Forumit, pjesëmarrësit patën telashe edhe me sigurimin e një vendi për t`u ulur, në mungesë të ulëseve të mjaftueshme.

Në fjalimin e saj, presidentja Osmani tha se përfshirja e përfaqësimi i grave është gur themeltar i të gjitha përpjekjeve që janë ndërmarrë deri tash.

"Në këtë forum le të zotohemi ndaj punës së vështirë por të domosdoshme që mbetet, punës së paqes. Një paqe ku gratë luajnë rol integral jo vetëm në parandalimin e konfliktit por edhe duke i dal në krye përpjekjeve për të ndërtuar shoqëri stabile dhe të qëndrueshme të frymëzuar nga trashëgimia e atyre grave që kanë ardh para nesh”, tha Osmani.

Homologia e saj nga Sllovenia u shpreh e brengosur me gjendjen e grave kudo në botë, derisa veçoi ato të cilat janë duke u përballur me luftërat që po zhvillohen.

“Vëmendje shumë e madhe duhet t’i kushtohet pandëshkueshmërisë, duke marrë veprimet vendimtare nëse dhuna kundër grave mbetet e pandëshkuar, iu inkurajon kryerjen e dhunës seksuale që lidhet me konfliktin edhe në të ardhmen. Duhet punuar për ndëshkimin e kryerësve për t’u siguruar që krimet e tilla të mos përsëriten kurrë”, tha presidentja sllovene Natasha Pirc Musar.

E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se barrën më të madhe të konflikteve në Ballkanin Perëndimor e kanë bartur gratë.

“Ky forum është dëshmi e zotimit të përbashkët për paqen dhe sigurinë, derisa reflektojmë për kontributin aktiv të Kosovës për një të ardhme përparimtare kur roli i grave do të jetë themelor. Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitarë i konflikteve të përgjakshme që kanë lënë shenja të paharrueshme në tokat tona por edhe zemrat tona dhe gjithmonë do të mbetet në kujtesën tonë historike”, tha Begaj.

Derisa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi rëndësinë e zbatimit të agjendës për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”. Përmendi rritjen e numrit të grave që janë pjesë e ushtrisë.

“Lufta në Ukrainë është një përkujtues i fortë i domosdoshmërisë së përfshirjes së grave në të gjitha fushat e parandalimit të konflikteve dhe përpjekjeve për të ndërtuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Kontributi i tyre është i domosdoshëm edhe në përshtatjen e politikave me realitetin e ri”, theksoi Xhaferi.

E përmes një video-mesazhi, të pranishmëve iu drejtua edhe ish-sekretarja e shtetit, Hillary Clinton. Tha se demokracitë janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë janë të  barabarta, e veçanërisht kur janë në pozita udhëheqëse.

“Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, gratë janë agjente të paqes dhe progresit. Në dekadën që kur Kosova është shtet i pavarur, aktivistët e të drejtave të grave, shumë prej tyre në këtë dhomë, siguruan progres drejt arritjes së barazisë gjinore në sektorin publik dhe në politikë”, tha ajo.

Në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, u nënshkrua edhe marrëveshja për formimin e qendrës rajonale të ekselencës me po të njëjtin emër.

Forumi punimet do t’i zhvillojë edhe të martën.