Në rastin ku të akuzuar janë ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të enjten, ka nisur dëgjimi i dëshmitares së tretë të propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Dëshmia e saj nuk është dëgjuar jashtë gjykatores, pasi ishte e mbyllur për publikun. Në fillim të seancës, trupi gjykues i hodhi poshtë disa vërejtje të mbrojtjes lidhur me pyetjet që ia bënë gjyqtarët dëshmitarit të dytë, të mërkurën
E mbrojtur nga publiku, të enjten, ka nisur dhënien e dëshmisë dëshmitarja e tretë në rastin ku ish-krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë gjithë dëshmisë së saj, seanca nuk u transmetua për publikun.
E në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, iu përgjigj një vërejtjeje të mbrojtjes lidhur me disa pyetje që iu bënë dëshmitarit nga gjyqtarët të mërkurën, po ashtu në pjesën kur seanca ishte e mbyllur për publikun.
“Para se të fillojmë, unë kam një urdhër me gojë sa u takon komenteve, lidhur me pyetjet që bënë gjyqtarët dje në fund të seancës”, tha Smith të enjten.
Avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Kehoe, kërkoi që ta përfundonte komentin që e nisi seancën e kaluar për pyetjet e gjyqtarëve, pasi tha se një gjë e tillë u kontribuon edhe dëshmitarëve të tjerë.
“Do të kërkonim leje që të përfundonim parashtrimin tonë, pastaj të kërkonim argumentet me gojë të Gjykatës, para se të merret ndonjë vendim. Kjo është një çështje që i përfshin të gjithë dëshmitarët, por sidomos dëshmitarët ‘viva voce’, besoj që kemi goxha dëshmitarë ‘viva voce’, që do të fillojnë seancën e radhës dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe do të donim të kishim mundësi të dorëzonim një kërkesë të përbashkët për trupin gjykues dhe pastaj të nxirrni urdhrin me gojë lidhur me këtë”, tha Kehoe.
Por, kryetari i trupit gjykues, Smith, e refuzoi këtë kërkesë, derisa dha arsyetime për pyetjet që trupi gjykues ia bëri dëshmitarit të dytë, të mërkurën.
“Trupi gjykues i bëri pyetje dëshmitarit dje lidhur me pjesë të transkriptave të intervistave që dëshmitari ia kishte dhënë ZPS-së dhe që ZPS-ja i kishte përfshirë në prezantimet e veta në (sistemin elektronik v.j.) Legal Workflow dhe që janë përdorur disa herë nga ekipet e mbrojtjes. Për më tepër, trupi gjykues i paraqet apo i bën pyetje dëshmitarit lidhur me një dokument që ishte i përfshirë në listën e prezantimeve të ZPS-së. Asnjë cenim nuk u shkaktua lidhur me këto pyetje. Trupi gjykues nuk kufizohet kur u bëhen pyetje dëshmitarëve vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin. Fushëveprimi i pyetjeve gjyqësore është i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm në një fushë të caktuar. Sipas Rregullës 127 (3), gjyqtari në çdo fazë mund t'i drejtohet me pyetje dëshmitarit”, u shpreh Smith.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999. Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni. Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.