LAJMET E MBRËMJES

Gjendet trupi i sulmuesit të tretë, fshati Banjskë mbetet i bllokuar

Të hënën është gjetur edhe trupi i personit të tretë të vrarë që, sipas Prokurorisë së Shtetit, ka vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës. Një ditë pas sulmit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, Policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme e armatimit që është përdorur apo pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale. E disa familjarë serbë kanë tentuar që të shkonin te Manastiri ku dyshonin se janë trupat e familjarëve të tyre të vrarë, por nuk janë lejuar pasi gjatë tërë ditës rruga që shpie për në fshatin Banjskë ishte e bllokuar

Trupi i personit të tretë të vrarë që i përkiste grupit të armatosur të serbëve është gjetur të hënën në Zveçan, ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit.

Ajo në bashkëpunim me Policinë kanë vazhduar t’i udhëheqin veprimet hetuese në fshatin Banjskë.

“Rrjedhimisht Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës konfirmon se, që nga momenti kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist dhe deri në këto momente, prokurori i rastit, Naim Abazi, ishte i pranishëm intensivisht në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë sa më adekuate, të cilat do të ndriçojnë tërësisht rrjedhën fatkeqe të rastit të djeshëm terrorist. Faktikisht PSRK-ja konfirmon se sot në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale. Po ashtu është gjetur edhe një veturë tjetër me armatim në Zveçan, derisa gjatë tërë ditës ka vijuar aksioni për lokalizimin e shtëpive dhe identifikimin e personave të dyshuar rreth sulmit të së dielës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

E rruga që shpie për te Manastiri në fshatin Banjskë, të hënën ka vazhduar të jetë e bllokuar për qarkullim. Në hyrje të fshatit gjatë tërë kohës ka qëndruar një veturë dhe disa pjesëtarë të njësisë speciale.

Përballë tyre, te zona malore qëndronin të shpërndarë edhe pjesëtarë tjerë të Policisë së Kosovës.

Mjetet e vetme që hynin në drejtim të fshatit ishin ato të Policisë së Kosovës, Prokurorisë e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it shkuan në drejtim të zonës.

Në orët e pasdites mbi Banjskë ka fluturuar edhe një helikopter i KFOR-it.

Ndërkohë edhe serbë që janë prezantuar si familjarë të të vrarëve kanë provuar që të shkonin te Manastiri. Pasi nuk u lejua të kalojë, një burrë i moshuar u kthye mbrapsht me veturën e tij duke thënë se nga aksioni i djeshëm ka mbetur i vrarë djali i tij.

Një përpjekje më të madhe e bëri kjo grua serbe, e cila për disa minuta ka lutur pjesëtarët e policisë që t’ia mundësonin për të shkuar te familjari i saj. Me gjithë refuzimin e policëve, ajo ka vazhduar të qëndronte për disa minuta derisa nuk kanë ardhur pjesëtarë të tjerë, të cilët e morën me veturë dhe e dërguan në drejtim të Zveçanit dhe Mitrovicës.

Më pas në rrjetet sociale ajo shkroi se një prej të vrarëve është vëllai i saj, Igor Milenkoviq.

Megjithëkëtë disa vetura, përfshirë taksi me persona që prezantoheshin si banorë të zonës, janë futur brenda fshatit. Por, secila veturë paraprakisht i nënshtrohej kontrollit të policisë.

Kontrolle pati edhe për disa vetura që qarkullonin në magjistralen Zveçan-Leposaviq.

Të dielën një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar kryesisht me serbë. Po ashtu janë konfirmuar tre të vrarë nga grupi sulmues, ndërsa gjashtë të tjerë janë arrestuar.